BotaTop Lajme

Kanadaja heq taksën dixhitale, rifillojnë bisedimet tregtare me SHBA-në

Shpërndaje

Kryeministri kanadez Mark Carney dhe Presidenti amerikan Donald Trump kanë rënë dakord të rifillojnë negociatat tregtare, vetëm pak ditë pasi ishin ndërprerë pas kundërshtimeve për tarifat.

Palët do të ulen në tryezë për të diskutuar taksën për Shërbimet Dixhitale” që Kanadaja e ka vendosur në nivelin 3 për qind që prej muajit qershor. Tarifa përfshinte “Google”, “Meta”, “Amazon”, “Apple”, etj.

Të premten Presidenti Trump e ka cilësuar këtë si një taksë të egër dhe kopjim të politikave të Bashkimit Evropian duke paralajmëruar dhe ndërprerjen e bisedimeve.

Të dielën në mbrëmje, Qeveria e Kanadasë bëri një hap pas, duke njoftuar zyrtarisht se po e tërheq taksën në pritje të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me SHBA-në.

Në deklaratën e Ministrisë kanadeze të Financave thuhet se mbledhja e taksës që ishte planifikuar të niste më 30 qershor 2025, do të ndalet menjëherë, ndërsa po përgatitet një projektligj për shfuqizimin.

Palët tashmë kanë parashikuar negociatat tregtare, ndërsa mediet shkruajnë se marrëveshja mund të arrihet deri në 21 korrik 2025, një afat që ishte përmendur edhe në takimin e fundit mes tyre gjatë Samitit të G7-ës, megjithatë nuk dihet nëse në paketën e diskutimeve do të flitet për tarifat e çelikut.

SHBA është partneri më i madh tregtar i Kanadasë, ndërsa Kanadaja është jo vetëm një nga importuesit kryesorë të mallrave amerikane, por edhe ndër furnitorët më të mëdhenj të SHBA-ve.