Kryediplomati turk: Turqia është e gatshme të ndërmarrë çdo hap për të lehtësuar bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë
Raundi i dytë i bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë filloi sot në Stamboll, me Turqinë si ndërmjetësuese, raporton Anadolu.
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, mbajti fjalën e hapjes në takim, i cili mblodhi së bashku delegacione nga Rusia dhe Ukraina në Pallatin Çırağan.
Fidan tha se prioritet është arritja e një paqeje të qëndrueshme midis dy vendeve.
“Turqia është e gatshme të ndërmarrë të gjitha llojet e hapave lehtësuese”, shtoi ai.
Ky takim shënon raundin e dytë të negociatave të organizuara nga Turqia, pas atij të 16 majit në Stamboll, ku palët ranë dakord të shkëmbejnë nga 1.000 të burgosur secila dhe përcaktuan qëndrimet e tyre mbi një armëpushim të mundshëm.
Palët u zotuan gjithashtu të vazhdojnë dialogun për të çtensionuar konfliktin në vazhdim.
Ankaraja ka mbajtur lidhje të ngushta si me Moskën ashtu edhe me Kievin gjatë gjithë luftës dhe ka ofruar vazhdimisht ndërmjetësimin e saj për të lehtësuar dialogun dhe përpjekjet për paqe.
Fidan për takimin Turqi-Rusi-Ukrainë: Palët i çuan një hap më tej çështjet që ranë dakord në takimin e parë
Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan në lidhje me takimin trepalësh Turqi-Rusi-Ukrainë në Stamboll, të organizuar nga Turqia tha se “palët i çuan një hap më tej çështjet mbi të cilat ranë dakord në takimin e parë”, transmeton Anadolu.
Ministri Fidan ndau një postim në llogarinë e medias sociale X në lidhje me takimin trepalësh Turqi-Rusi-Ukrainë të mbajtur në Stamboll, të organizuar nga Turqia, i cili synon t’i japë fund luftës Rusi-Ukrainë.
Fidan deklaroi se ata pritën raundin e dytë të negociatave midis Rusisë dhe Ukrainës.
“Në bisedimet që u zhvilluan në atmosferë konstruktive, palët i çuan një hap më tej çështjet mbi të cilat ranë dakord në takimin e parë”, tha Fidan i cili shtoi se palët nën titullin e shkëmbimit humanitar arritën marrëveshje për kategori të reja dhe një numër më të madh shkëmbimesh.
Ai theksoi se palët shkëmbyen memorandume që pasqyrojnë perspektivat e tyre mbi armëpushimin dhe paqen dhe se e gjetën të përshtatshme të fillonin punën në nivel teknik mbi këto tekste në ditët në vijim.
Pasi deklaroi se ata ranë dakord të vazhdojnë përgatitjet në terren për një takim në nivel udhëheqësish gjatë takimit, Fidani tha: “Qasja që palët paraqitën me fokus drejt rezultatit për t’i dhënë fund humbjeve që ka shkaktuar lufta, në negociatat e formësuara në përputhje me vullnetin e përbashkët të udhëheqësve tanë, është e kënaqshme. Do të doja të falënderoja sërish të dy vendet për besimin që kanë ndaj Turqisë gjatë këtij procesi historik”.
– Takimi trepalësh Turqi-Rusi-Ukrainë
Takimi trepalësh Turqi-Rusi-Ukrainë i organizuar nga Turqia, i cili synon t’i japë fund luftës Rusi-Ukrainë sot në Stamboll ka përfunduar. Sot në Stamboll përfundoi takimi trepalësh Turqi-Rusi-Ukrainë i organizuar nga Turqia, i cili synon t’i japë fund luftës Rusi-Ukrainë.
Pas takimit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se ata arritën marrëveshje me Rusinë për shkëmbime të reja të të burgosurve gjatë bisedimeve të mbajtura në Stamboll me qëllimin për t’i dhënë fund luftës.
Mediat ruse raportuan se Rusia i ofroi Ukrainës dy mundësi për armëpushim në memorandumin që i paraqiti në negociatat në Stamboll.
– Turqia pas 3 vitesh arriti t’i ulë palët në të njëjtën tryezë
Menjëherë pas luftës së përgjakshme që filloi në shkurt të vitit 2022, Turqia i bashkoi Rusinë dhe Ukrainën në të njëjtën tryezë si në Antalya ashtu dhe në Stamboll vitin e njëjtë. Në maj të vitit 2025, ajo arriti t’i ulë delegacionet ruse dhe ukrainase në të njëjtën tryezë në Stamboll pas 3 vitesh.
Midis Rusisë dhe Ukrainës u zhvilluan negociata më 16 maj në Zyrën presidenciale në Dolmabahçe të Stambollit.
Të dyja palët ranë dakord të kryenin shkëmbim të madh të të burgosurve “1.000 persona për 1.000 persona”, paraqitja e pikëpamjeve të hollësishme mbi një armëpushim të mundshëm dhe më pas për të vazhduar negociatat.
Të dy vendet thanë se shkëmbimi i të burgosurve i rënë dakord në Stamboll përfundoi më 25 maj.