Kunja te gurthemeli – Rama: Zhbllokoje buxhetin e kryeqytetit, Kurti: Pas vjeshtës gjej punë tjetër!
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, janë përplasur me deklarata të drejtpërdrejta gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për një çerdhe në lagjen Bardhosh të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Fjalimet e tyre, nxorën në pah mospajtimet mes nivelit lokal dhe atij qendror sa i përket bashkëpunimit dhe realizimit të projekteve për kryeqytetin.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i bëri thirrje publike Kurtit që të zhbllokojë buxhetin e Komunës, duke përmendur projektet e mëdha të ngecura për shkak të mungesës së bashkëpunimit.
“Është mirë kur kemi një bashkëpunim mes nivelit qendror edhe kryeqytetit, edhe po e shohim tash një fillim të mirëfilltë këtu me një çerdhe në Bardhosh. Kemi edhe një numër të madh të projekteve në kryeqytet, që unë kisha dashur me ju lut kryeministrit në detyrë publikisht që të zhbllokojë buxhetin e kryeqytetit, i cili tashmë është i bllokuar, bartja po ashtu. Projekte të mëdha si unaza e kryeqytetit që është 206 milionë, 82 janë, edhe ato mundemi me i shty përpara. Janë projekte për kryeqytetin. Po ashtu të takohemi, se nuk jemi takuar ende këto katër vjet unë e kryeministri për të mirën e kryeqytetit. Pra, edhe këto projekte janë minore në raport me projektet tjera madhore që janë me rëndësi të madhe për kryeqytetin. Të bëhemi bashkë e t’i grahim proceseve të mëdha, e jo këtyre të voglat” , tha Rama.
Por, kryeministri në detyrë Albin Kurti iu kundërpërgjigj, duke e kritikuar Ramën për mënyrën si i cilësoi projektet dhe duke aluduar në humbjen e tij në zgjedhjet lokale.
“Së pari, fëmijët janë të vegjël, por asnjë çerdhe nuk është minore. Çdo çerdhe duhet të trajtohet me seriozitet. Së dyti, unë e kam takuar kryetarin e Komunës së Prishtinës disa herë në zyrën time dhe investimet janë 12 milionë e 243 mijë euro në fushën e arsimit në kryeqytet. Dhe këtu jemi për fushën e arsimit, jo për çështje të tjera. Kemi edhe investime të tjera, por investimet madhore që janë shumëvjeçare kërkojnë planifikime të tjera. Ky është një plan shumëvjeçar, të cilin duhet ta bëjmë ndryshe, mbase me dikë tjetër. E, kryetari Rama pas vjeshtës duhet të gjejë një punë tjetër”, tha Kurti.
Ndaj Ramës reagojë edhe Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se që në fillim të mandatit të Ramës, ka kërkuar bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe se çdo kërkesë që vjen në përputhje me ligjin do të realizohet pa vonesa.
“Ne jemi takuar bashkë kur e keni marrë mandatin, unë ju kam vizituar në zyrë dhe kam kërkuar nga ju që të na ofroni mundësi që të investojmë për fëmijët e Komunës së Prishtinës. Ju garantoj që çdo kërkesë formale që ju e sjellni sipas legjislacionit në fuqi do të realizohet menjëherë, sepse e dimë sa është e nevojshme investimet,” tha Nagavci.
Pasi përfundoi fjalimin Kurti, Rama u pyet nga gazetarët nëse do të kërkojë punë në vjeshtë, ashtu siç tha kryeministri në detyrë.
Ky i fundit tha se do të jetë përsëri kryetar i kryeqytetit.
“Kish pas qejf kryeministri në detyrë të jetë ashtu, por unë do jem kryetar i Prishtinës. Kurti së bashku me Hajrullah Çekun e kanë sabotuar kryeqytetin tash e 4 vjet. Këtu shihet se kush ia do të mirën Prishtinës”, tha ai.