RajoniTop Lajme

Kurti merr pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit në Shkup

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtojë sonte drejt Shkupit për të marrë pjesë në një darkë pune me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Takimi, i organizuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, synon të nxisë bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe të forcojë përpjekjet drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar pjesëmarrjen e Kurtit në këtë ngjarje për Telegrafin. Të martën, Kurti do të jetë pjesë e një paneli diskutimi, ku do të trajtohet Plani Evropian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, do të udhëheqë takimet dyditore me liderët rajonalë, me qëllim përshpejtimin e reformave dhe shpërndarjen e fondeve nga BE-ja.

Sipas Komisionit Evropian, të gjitha vendet e rajonit, përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, kanë përfituar tashmë fonde nga faza e parë e financimit të këtij plani. Ky takim pritet të shërbejë gjithashtu si një hapësirë për të diskutuar mundësitë e reja të bashkëpunimit, përfshirë mbrojtjen e konsumatorëve, zhvillimin e turizmit dhe integrimin ekonomik në tregun e përbashkët evropian.