Negociatat për anëtarësim në BE, Shqipëria përgatit kapitujt 4 dhe 5
Një deklaratë e Komisioneres Marta Kos se së shpejti Bashkimi Europian do të përmbyllë hapjen e gjithë grupkapitujve të bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë, përveç befasisë edhe brenda vetë afateve rekord të shënuara nga ndonjë vend tjetër deri tani, shoqërohet në praktikë me hapa që institucionalë.
Kërkesa formale nga Komisioni Europian që del pasi është vlerësuar përparimi i përgjithshëm i Shqipërisë, e fton njëkohësisht këtë të fundit të dorëzojë qëndrimin e saj zyrtar, të ashtuquajturin dokument të pozicionit të bisedimeve. Këtu specifikohen dokumentet, informacionet dhe analizat që Shqipëria duhet të dorëzojë për çdo kapitull. Më pas është Shqipëria që përgatit qëndrimin negociues.
Ky është një dokument i detajuar që shpjegon nivelin e përafrimit me legjislacionin e BE-së, reformat e kryera dhe planet për përafrim të mëtejshëm. Ai i dërgohet zyrtarisht Komisionit Europian që në një hap të tretë analizon përmbajtjen e dokumenteve shqiptare, shpesh duke kërkuar sqarime shtesë ose dokumente plotësuese.
Rekomandimi i hapjes zyrtare bëhet pas një vlerësimi për gatishmërinë në Këshillin e BE që duhet të vendosë unanimisht për rekomandimin e Komisionit Europian bashkë me caktimin e një Konference Ndërqeveritare, ku grukapitulli hapet zyrtarisht. Grupet 4 dhe 5 në negociatat e pranimit në BE, siç përshkruhen në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, përqendrohen përkatësisht në “Axhendën e Gjelbër dhe Lidhshmërinë e Qëndrueshme” dhe “Burimet, Bujqësinë dhe Kohezionin”.
Grupi 4 përfshin kapituj mbi politikën e transportit, energjinë, rrjetet trans-europiane dhe mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Grupi 5 mbulon bujqësinë dhe zhvillimin rural, sigurinë ushqimore, peshkimin, politikën rajonale dhe dispozitat financiare dhe buxhetore.