MaqedoniTop Lajme

Nga Front Europian në Front Kombëtar! Opozita shqiptare drejt një bashkimi më të gjerë

Shpërndaje

Fronti Evropian paralajmëron zgjerimin si koalicion opozitar në bllokun shqiptar. Thonë se në garë për zgjedhjet lokale do të kandidojnë me lista të përbashkëta por edhe me parti të tjera, të cilat aktualisht tani nuk janë pjesë e koalicionit. Deputetja e BDI-së Rina Ajdari tha se po bëhet një unifikim më gjithëpërfshirës. Konfirmoi se ka bisedime edhe me Arben Taravarin, por që sipas saj, ende nuk dihet se si janë ndarë komunat mes koalicioneve.

“Do të jemi Front Evropian apo Front Kombëtar, si të doni quajeni sepse sipas situatës në të cilën gjendemi jashtëzakonisht e vështirë, me këto qëllime dashakeqe të qeverisë për të instaluar një politike e përjashtimit dhe margjinalizimit, edhe të shqiptarëve dhe komuniteteve më të vogla, kështu që tani për momentin na duhet një unifikim. Na duhet një bashkim në këtë Front Evropian në këtë Front Kombëtar për ta amortizuar këtë situatë dhe për ta luftuar të keqen, të cilën po e promovon edhe me politikë në terren por edhe me narrativin politik të gjithë pjesëtarëve të qeverisë”, tha Rina Ajdari, deputete e Frontit Europian.

I pyetur nga gazetarët nëse termi nga Evropain në Kombëtar nënkupton riorganimizim të koalicionit, Deputeti i ASH-së së Selës, Ilir Demiri tha se Fronti Evropian po merr formë më të madhe duke u shndërruar në Front Kombëtar, për të vazhduar kauzën brenda vendit por edhe drejt integrimit në BE.

“Tani që vetëm merr formë më të madhe dhe popullata në përgjithësi e kupton opsionin, votuesit tanë që janë të etnitetit jo maqedonas, shumica mbi 90% janë të përcaktuar për BE-në. Edhe këtu është vetëm një luftë kauzash për integrime të shpejta në BE ose për ngadalësim të integrimit në BE, kjo është diferenca”, pohoi Ilir Demiri, deputet i Frontit Europian.

Mbrëmë, pas mbledhjes së Kryesisë së BDI-së, partia kumtoi se vendosën njëzëri t’i japë përkrahje kryetarit të tyre Ali Ahmeti për të intensifikuar përpjekjet për unifikimin e të gjitha forcave progresive, si në Frontin Evropian, ashtu edhe në Frontin Kombëtar./TV21