MaqedoniTop Lajme

Reagon MPB, jo për avancimet në Tetovë por për “softuerin për spiunim” që akuzoi LSDM

Shpërndaje

Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar pas akuzave të LSDM-së për një gjoja blerje të “softuerit për spiunim”, duke i quajtur këto pretendime të pavërteta dhe të pabazuara.

Në një deklaratë zyrtare, MPB sqaron se nuk bëhet fjalë për ndonjë softuer për përgjime, por për rinovim të rregullt të licencave për softuer forenzik, i cili përdoret për nxjerrjen dhe analizën e të dhënave digjitale nga telefonat dhe pajisje të tjera elektronike, brenda hetimeve të zhvilluara mbi bazë urdhrash dhe në përputhje me ligjin.

“Këto mjete nuk mundësojnë dhe nuk përdoren për përgjime. Bëhet fjalë për pajisje standarde të forenzikës digjitale që përdoren edhe nga agjenci të sigurisë në gjithë botën,” thuhet në reagimin e MPB-së.

Ministria thekson se ky lloj softueri është blerë edhe në vitin 2021, në kohën kur dikasteri drejtohej nga një ministër nga LSDM-ja – fakt që, sipas MPB-së, e bën të pakuptimtë akuzën aktuale të së njëjtës parti.

“Blerja është kryer në mënyrë transparente, në përputhje me Ligjin për Prokurime Publike dhe ka për qëllim të vetëm rritjen e kapaciteteve për luftën kundër krimit,” nënvizon MPB.

Në fund, Ministria bën thirrje që subjektet politike të përmbahen nga përhapja e dezinformatave që dëmtojnë besimin në institucionet shtetërore dhe thekson se lufta kundër krimit duhet të jetë prioritet i përbashkët, e jo temë për manipulime politike.