RajoniTop Lajme

Të shtunën në Kosovë, mbi 18 mijë maturantë do t’i nënshtrohen Provimit të Maturës

Shpërndaje

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), njofton të gjithë maturantët se, nesër, më datë 21 qershor 2025, duke filluar nga ora 10:00 do të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore.

Provimit do t’i nënshtrohen 18.800 maturantë kurse rezultatet do të bëhen publike më së largu deri më 30 qershor.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se MAShTI ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për organizimin e provimit, duke angazhuar dhe përgatitur trupa të ndryshëm mbikëqyrës, të cilët janë të obliguar të sigurojnë zhvillimin e mbarë e korrekt të procesit.

“Për të siguruar një proces të drejtë, të rregullt dhe të besueshëm, Ministria e Arsimit lutë të gjithë maturantët që t’u përmbahen rregullave të përcaktuara, si: mosmbajtja me vete e telefonave apo pajisjeve të tjera elektronike, pasi nuk do të lejohet hyrja në qendrat e testimit për ata që mbajnë pajisje të tilla”, thuhet në njoftim.

MAShTI gjithashtu njofton se, hyrja në qendrën e testimit do të mbyllet në ora 10:00. Pas kësaj ore, nuk do të lejohet hyrja e asnjë personi të paautorizuar nga MAShTI deri në përfundimin e testit.

MAShTI ka angazhuar gjithashtu trupa lëvizëse dhe ekspertë të IT-së për të monitoruar nga afër dhe nga distanca mbarëvajtjen e procesit. Çdo përpjekje për të dëmtuar apo shkelur rregullat e përcaktuara do të trajtohet me masa të menjëhershme ligjore.

“MAShTI ju uron një provim të mbarë dhe shumë suksese në arritjen e qëllimeve për të gjithë maturantët”, vijon njoftimi.