Universiteti i Tetovës i laureoi me titullin Doctor Honoris Causa Joseph J. DioGuardin dhe Shirley Cloyes DioGuardin
Me një Akademi solemne, në Amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” të Universitetit të Tetovës, në praninë e studentëve, profesorëve dhe dhjetëra personaliteteve të njohura, më 13 qershor 2025, janë laureuar me titullin Doctor Honoris Causa, z. Joseph J. DioGuardi dhe znj. Shirley Cloyes DioGuardi, dy personalitete të rëndësishme që punuan pareshtur dhe me përkushtim të pashoq për lirinë dhe demokratizimin e rajonit tonë. Dy zëra të fuqishëm dhe mbrojtës të palodhur të të drejtave të shqiptarëve, qoftë në Kongresin Amerikan, qoftë nëpër forume të ndryshme ndërkombëtare, pikërisht në periudhat më të vështira për popullin shqiptar. Në këtë ceremoni zyrtare, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli theksoi se Joseph DioGuardi zë vend nderi edhe në historinë e Universitetit të Tetovës, ai e mbështeti dhe e afirmoi ndërkombëtarisht këtë institucion të dijes, shkencës dhe kulturës, pikërisht në kohën kur goditej me instrumentet e dhunës nga një strukturë qeveritare jodemokratike dhe anakronike.
“Historia e Universitetit tonë është e lidhur ngushtë me emrin e z. DioGuardi. Sa herë do të flitet e do të shkruhet për Universitetin e Tetovës, do të përmendet me respekt e admirim emri dhe kontributi i z. DioGuardi. Stafi drejtues, profesorët dhe studentët i janë mirënjohës për mbështetjen që i dha Universitetit tonë. Me të njëjtin respekt dhe nderim do të përmendet edhe znj. Shirley Cloyes DioGuardi – eksperte për politikën e brendshme dhe ndërkombëtare amerikane, e cila shërbeu si këshilltare për çështjet e Ballkanit në Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Zonja Shirley Cloyes DioGuardi nëpërmjet artikujve të thelluar mbi problemet e rajonit tonë dha kontribut të çmuar për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe për vendosjen e paqes, stabilitetit dhe demokratizimit të shoqërive të rajonit. Me përkushtimin dhe dijen e thellë, ajo arriti ta paraqiste pamjen reale të asaj që ndodhte gjatë luftës së Kosovës.”- theksoi Rektori i UT-së.
Ai po ashtu nënvijëzoi se kjo ngjarje e rëndësishme për institucionin tonë, njëherësh është edhe shprehje e mirënjohjes sonë të thellë për vetë SHBA-në, ku i kemi gjetur miqtë më të sinqertë.
Në këtë Akademi solemne, pjesëmarrësve në amfiteatër me fjalë rasti iu drejtua edhe Prof. Dr. Lulzim Aliu, Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. “Në këtë tempull dijesh dhe vlerash kombëtare, ne sot nuk po nderojmë vetëm një emër të njohur të politikës amerikane, por një njeri me zemër të madhe, që për dekada të tëra e ka lidhur fatin e tij me fatin e popullit shqiptar. Në historinë tonë të përbashkët, ka figura që dalin përtej roleve zyrtare, përtej detyrës dhe mandatit. Joe DioGuardi është një prej tyre. Si ish-Kongresist amerikan, ai nuk e kufizoi angazhimin e tij në sallat e Kongresit – përkundrazi, ai u dha zë atyre që nuk kishin zë. Ai i tregoi botës vuajtjet e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Preshevë, kur shumë të tjerë heshtnin. Në një kohë kur padrejtësia mbulonte të vërtetën, zëri i tij në Kongres u bë zëri ynë. Ai nuk foli vetëm si politikan, por si njeri me ndërgjegje. Ai nuk luftoi vetëm për të drejtat tona, por për dinjitetin tonë si popull. Me përkushtimin e tij, ai ngriti çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare, ndihmoi në ndërgjegjësimin global për krimet dhe padrejtësitë ndaj shqiptarëve dhe dha një kontribut të çmuar në proceset që çuan drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Joe DioGuardi është dëshmi se miqësia nuk ka kufij kombëtarë, por lidhet me vlerat, drejtësinë dhe humanizmin. Për ne, ai nuk është vetëm një mik i shqiptarëve – ai është një bir i nderuar i kauzës sonë.” – tha ndër të tjera Prof. Dr. Lulzim Aliu.
Referatet për dhënien e titullit Doctor Honoris Causa për Joseph J. DioGuardin dhe Shirley Cloyes DioGuardin i paraqiti kryetari i Komisionit recensues Prof. Dr. Vullnet Ameti.
“Drejtuesit e Universitetit të Tetovës shprehin respekt të veçantë për personalitetet me ndikim të madh në rrjedhat ndërkombëtare, që dhanë kontribut të madh edhe për themelimin dhe afirmimin ndërkombëtar të Universitetit të Tetovës. Në mesin e personaliteteve të shquar, që i dhanë përkrahje universitetit tonë nga dita e parë e themelimit, është edhe mendimtari, veprimtari dhe ish-kongresmeni amerikan z. Joseph J. DioGuardi, i cili është propozuar për dhënien e titullit Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës. Po ashtu ne drejtuesit e këtij institucioni gjithmonë kemi shprehur respekt dhe nderim për z. Shirley Cloyes DioGuardi, një personalitet me shumë ndikim në rrjedhat ndërkombëtare. Ne si komision e vlerësojmë punën publike, studimore, shoqërore dhe publicistike të zonjës Shirley Cloyes DioGuardi dhe jemi të bindur se ajo e meriton nderimin më të lartë të Universitetit të Tetovës.” – deklaroi kryetari i Komisionit të sipërthënë, njeherazi Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili njëkohësisht prezantoi të dhëna të hollësishme nga jeta dhe veprimtaria e z. Joseph J. DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit.
“Joseph John DioGuardi, një personalitet i vlerësuar dhe me ndikim në politikën e jashtme amerikane, që e përkrahu themelimin e Universitetit të Tetovës në ditët më të vështira, lindi më 20 shtator 1940. Ai është kontabilist publik i certifikuar dhe politikan republikan. Shërbeu në Dhomën e Përfaqësuesve si përfaqësues i distriktit 20 të Kongresit të Nju-Jorkut në vitet 1985 – 1989. Ishte anëtari i parë shqiptaro – amerikan i Kongresit. Gjithashtu ishte edhe kandidati republikan për Senatin e SHBA-së në Nju-Jork gjatë zgjedhjeve speciale të vitit 2010. Babai i DioGuardit, Joseph Sr., emigroi në Shtetet e Bashkuara nga Greci i Italisë. Joseph Sr. ishte me origjinë arbëreshe. Paraardhësit e tij emigruan në Itali disa shekuj më parë. DioGuardi u diplomua në Universitetin Fordham në 1962. Ai ka specializuar në sferën e tatimeve federale dhe shtetërore për organizatat jofitimprurëse, si dhe në ekonominë tatimore të dhënies së bamirësisë. DioGuardi ishte partner në Arthur Andersen & Co. dhe president i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, një organizatë që e drejtoi bashkë me gruan e tij, Shirley Cloyes DioGuardi. Emri i tij lidhet ngushtë me historinë e themelimit të Universitetit të Tetovës. Ai i dha mbështetje të fuqishme Universitetit të Tetovës në kohën kur pushteti maqedonas i përdori të gjitha mekanizmat e dhunës për ta shuar veprimtarinë e këtij institucioni, duke i burgosur intelektualët, mësimdhënësit dhe arsimdashësit me synimin që të pengonte arsimimin e gjeneratave të reja në gjuhën shqipe.” – deklaroi Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ndërsa për znj. Shirley Cloyes DioGuardi, veçoi: “Zonja Shirley Cloyes DioGuardi është specializuar për politikën e brendshme amerikane dhe për politikën ndërkombëtare. Ajo ka diplomuar për sociologji në Kolegjin Oberlin dhe ka master për teologji dhe kulturë në Union Theological Seminary. Është është analiste e shquar për politikën e jashtme, veçanërisht për konfliktin në Ballkan. Nga viti 1995 ajo punoi si këshilltare për çështjet e Ballkanit në Lidhjen Qytetare Shqiptaro – Amerikane.
Zonja Shirley Cloyes DioGuardi ka botuar shumë artikuj për problemet e Ballkanit dhe ka afirmuar shqetësimet dhe interesat e popullit shqiptar. Ka kontribuar në politikën e jashtme amerikane për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, veçanërisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Zonja Shirley Cloyes DioGuardi gjatë luftës së Kosovës ka qenë komentatore në radio dhe TV dhe ka kontribuuar në ngritjen e aktakuzës që çoi në ekstradimin e Slobodan Millosheviqit në Gjykatën e Krimeve të Luftës në Hagë. Gjithashtu është edhe ideatore e projektit “Besa”. Ky projekt ndërkombëtar e dokumentoi rolin e shqiptarëve në shpëtimin e çdo hebreu që jetonte në Shqipëri ose atje kërkonte azil gjatë Holokaustit nazist”.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Prof. Dr. Vullnet Ameti e elaboroi edhe arsyetimi i dhënies së titullit Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës për laureatët e lartpërmendur.
“Z. Joseph John DioGuardi, si veprimtar politik dhe shoqëror, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për demokratizimin e rajonit të Ballkanit dhe vendeve të tjera në botë. Ai me dije të thella, me urtësi dhe qytetari i ka afirmuar vlerat e demokracisë, lirisë, paqes dhe ka punuar përherë për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Veprimtaria jetësore, shoqërore dhe politike e ish-Kongresmenit amerikan Joseph J. DioGuardi është e lidhur ngushtë me çështjen shqiptare, në përgjithësi, por edhe me historinë e themelimit të Universitetit të Tetovës, në veçanti. Z. DioGuardi, si personalitetet me ndikim në politikën ndërkombëtare, e përkrahu që në fillim themelimin e universitetit tonë. Me praninë e tij në kohërat më të vështira për Universitetin e Tetovës, ai ia përcolli sinjalin qeverisë së atëhershme se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk ishin të vetmuar në përpjekjet e tyre për të pasur institucione arsimore, shkencore dhe kulturore. Ai ishte ndër personalitetet e para dhe me ndikim ndërkombëtar që e sfidoi politikën e dhunës kundër Universitetit të Tetovës dhe bëri të ditur se ky universitet e kishte përkrahjen e parezervë të Lidhjes Qytetare Shqiptaro – Amerikane. Për ne si Komision vlerësues ka qenë privilegj që ta mbështesim fuqimisht shpalljen e Shirley Cloyes DioGuardi, Doktor Nderi – Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës, sepse, kështu, mbarë komunitetit akademik dhe opinionit publik ia përcjellim mesazhin fisnik se Universiteti i Tetovës i çmon personalitetet që kanë dhënë kontribut të çmuar për çështjen shqiptare në përgjithësi dhe për Universitetin e Tetovës, në veçanti. Shirley Cloyes DioGuardi ka kontribuar si eksperte në politikën e jashtme amerikane dhe për paqen e stabilitetin në Ballkan. Ne e vlerësojmë lart punën e palodhshme dhe përkushtimin e përhershëm të veprimtares z. Shirley Cloyes DioGuardi për paqen, stabilitetin dhe demokratizimin e rajonit të Ballkanit, afirmimin ndërkombëtar të çështjes shqiptare dhe kontributin e saj për afirmimin në plan ndërkombëtar të vlerave, traditave dhe shpirtin solidar të shqiptarëve.” – deklaroi Prof. Dr. Vullnet Ameti – kryetari i Komisionit recensues.
Në përputhje me procedurën e ndarjes së titujve Doctor Honoris Causa, vendimet përkatëse i lexoi Kryetari i Senatit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kenan Ferati.
“Ky titull, z. Joseph J. DioGuardit i jepet për mbështetjen e palëkundur ndaj Universitetit të Tetovës që nga themelimi i tij, për angazhimin e tij të vazhdueshëm në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të të drejtave të shqiptarëve në Ballkan, si dhe për kontributin jetësor në ndërkombëtarizimin e çështjes arsimore dhe kulturore shqiptare. Ndërsa znj. Shirley Cloyes DioGuardi, titulli Doctor Honoris Causa i jepet për kontributin e palodhur në afirmimin ndërkombëtar të çështjes shqiptare, për rolin e rëndësishëm në politikën e jashtme amerikane dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Ballkan, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme të Universitetit të Tetovës dhe vlerave demokratike që ai përfaqëson.”- deklaroi, Prof. Dr. Kenan Ferati.
Ish-kongresmeni amerikan dhe aktivisti i të drejtave të shqiptarëve, Joseph J. DioGuardi, përgëzoi Universitetin e Tetovës për organizimin madhështor të ceremonisë, duke theksuar rolin jetik të edukimit në forcimin e një kombi. Ai nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të një kombi të fuqishëm shqiptar që nga Kosova e deri në të gjitha trevat shqiptare. Në fjalën e tij, DioGuardi kujtoi angazhimin e tij personal në Kongresin Amerikan për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, veçanërisht në Maqedoni dhe Kosovë. Ai përmendi bashkëpunimin me kongresmenët Tom Lantos dhe Ben Gilman dhe ndikimin e thellë të babait të tij shqiptar, që i la amanet ta përdorte zërin në shërbim të shqiptarëve. DioGuardi theksoi gjithashtu rëndësinë e investimit në arsimimin e brezave të rinj dhe nevojën për humanizëm dhe përkushtim ndaj komunitetit.
Kurse bashkëshortja e DioGuardit, Shirley Cloyes DioGuardi, shprehu mirënjohje për drejtuesit e Universitetit të Tetovës, duke kujtuar rrugën e vështirë drejt themelimit dhe njohjes së tij si universiteti i parë në gjuhën shqipe në Maqedoni. Ajo përmendi kontributin vendimtar të figurave si Prof. Dr. Fadil Sulejmani, Abdulla Mehmeti, Murtezan Ismaili dhe të tjerëve. Shirley kujtoi sulmin brutal të vitit 1995 nga autoritetet maqedonase ndaj Universitetit dhe rolin e tyre në mobilizimin ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Ajo theksoi se Universiteti i Tetovës mbetet një simbol i barazisë dhe përfshirjes, dhe se progresi i arritur që nga vitet ‘90 është rezultat i një lëvizjeje të përbashkët për dinjitet dhe drejtësi. Akademia solemne u përmbyll me një program artistik mbresëlënës, i cili solli në skenë harmoninë e artit dhe shpirtit akademik. Programi u realizua nga profesorët, Kastriot Tusha, Bajramali Idrizi, Premtim Etemi, si dhe Kori i Universitetit të Tetovës.