BotaTop Lajme

Vala e të nxehtit godet Europën, temperaturat në mbi 40 gradë Celcius në disa vende

Shpërndaje

Që prej fundjavës, Europa është përfshirë nga një valë e të nxehtit, e cila do të vazhdojë gjatë gjithë javës.

Temperaturat shkojnë në mbi 40 gradë Celcius, të shoqëruara me një sërë alarmesh shëndetësore dhe mjedisore të lëshuara në të gjithë kontinentin, veçanërisht në pjesën jugore të tij.

Në Itali, mbi 25 qytete janë në gatishmëri të lartë për rrezikun e të nxehtit për shëndetin.

Spanja ka thyer deri tani rekordin e përvitshëm me temperaturën 46 gradë Celcius për qershorin.

Dy të tretat e Portugalisë gjithashtu ishin në gatishmëri të lartë të dielën për vapën ekstreme dhe zjarre, me temperatura që pritej të kalonin 42 gradë Celsius në Lisbonë.

Përveç dëmeve në shëndet që shkakton i nxehti, temperaturat e larta rrisin edhe rrezikun mjedisor me Greqinë e cila prej disa ditësh e ka nisur betejën me zjarret.

Flakët e mëdha që nisën në një pyll e më pas iu afruan zonave të banuara zhvendosën disa fshatra dhe shkaktuan dëme material, por fatmirësisht pa dëme në njerëz.

Britania e Madhe gjithashtu është përfshirë nga temperaturat e larta që arrijnë në mbi 30 gradë Celcius, vlera të rralla për ishullin britanik gjatë muajit qershor.