RajoniTop Lajme

15 vjet nga vendimi i GjND-së, Haradinaj: 22 Korriku vulosi drejtësinë ndërkombëtare mbi idealin tonë të lirisë

Shpërndaje

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar 15-vjetorin e vendimit historik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 22 Korrik 2010 legjitimoi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ai ka thënë se partneriteti me SHBA-të dhe BE-në, është rruga e vetme për realizimin e synimeve të Kosovës si shtet.

Haradinaj ka shtuar se vendimi i 22 Korrikut 2010 nga GJND është njëra nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e shtetformimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.

“15 vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë legjitimoi përpjekjet tona historike, të drejtën tonë për shtet. Vendimi i 22 Korrikut 2010 nga GJND është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e shtetformimit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Ai vulosi drejtësinë ndërkombëtare mbi idealin tonë të lirisë, të jetësuar më 17 Shkurt 2008. Rruga deri këtu ka qenë e gjatë, e vështirë dhe e mbushur me sakrifica ndër breza. Por Kosova ka qëndruar falë përkushtimit të popullit të saj për liri, drejtësi dhe demokraci. Rreshtimi kah vlerat perëndimore dhe orientimi ynë euro-atlantik duhet të jetë synimi ynë i pakompromis. Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në, është rruga e vetme për realizimin e synimeve tona si shtet”, ka shkruar Haradinaj.