MaqedoniTop Lajme

“250 euro për çdo student”, kuvendi miraton propozim ligjin për vauçerë

Shpërndaje

Me 84 vota PËR, Kuvendi miratoi propozim ligjin për ndarjen e vauçerëve për blerjen e pajisjeve elektronike për studentët, me çka, çdo student i rregullt apo me korrespodencë, do të fitojë 15300 denarë, apo 250 euro. Vauçerë mund të përfitojnë studentët jo më të vjetër se 29 vjeç, që janë regjistruar në vitin akademik 2025/2026, qoftë në universitetet publike apo private.

“Miratimi i propozim ligjit për shpërndarjen e vauçerëve me vlerë, do t’i bëjë studentët që të ndjehen të gjithë të barabartë duke pasur mundësi që të gjithë të kenë pajisje elektronike si kompjuter, tabletë, laptop ose ndonjë pajisje tjetër elektronike që u nevojitet”, tha Feride Haxhiu – VLEN.

Deputetët e shumicës sigurojnë se ndarja e vauçerëve do të bëhet në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminime.

“Studentët për këtë vauçer mund të paraqiten përmes portalit nacional për shërbime elektronike me çka dëshmojmë se në mënyrë elektronike do të shkojë e gjithë procedura dhe nuk do të lejohet asnjë keqpërdorim për përdorimin e vauçerit elektronik, është procedurë e thjeshtë dhe transparente për të gjithë studentët”, u shpreh Dragana Boshkovska – VMRO-DPMNE.

Propozim ligjin e mbështetën edhe deputetët e LSDM-së. Thonë se do të mbështesin ligje që janë në interes të përmirësimit të kushteve për studentët dhe të rinjtë.

“Megjithatë thoni se po kthehet besimi, tani më tepër po mendohet për të rinjtë se jeni më të përkushtuar, por mendoj se kjo nuk është edhe ashtu dhe e ndershme është të pranoni se kjo ëstë masa e parë e kësaj qeverie në një vit që kaloi, e që ka të bëjë me të rinjtë”, theksoi Daniella Nikollova – LSDM.

Për zbatimin e këtij ligji, në buxhetin e këtij viti janë ndarë 215 milion denarë ndërsa në vitin e ardhshëm do të ndahen 635 milion denarë. Nga kjo masë do të përfitojnë 55 mijë studentë. / Alsat.mk