MaqedoniTop Lajme

A hesht apo është i pafuqishëm? Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdi në Qeveri me emër vetëm në maqedonisht!

Shpërndaje

Një detaj simbolik por thellësisht domethënës ka kaluar në heshtje në takimin e fundit në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdi. Në tavolinën e tij zyrtare, kartela me emrin e tij – e përgatitur nga protokolli shtetëror – ishte vetëm në gjuhën maqedonase, pa përfshirjen e gjuhës shqipe, ndonëse ai përfaqëson një komunë me shumicë absolute shqiptare.

Ajo që ka shkaktuar reagime në opinion është heshtja e plotë e z. Sejdi përballë kësaj situate. Edhe pse kartela nga ana e tij ishte në dy gjuhë, ky veprim duket më shumë si përpjekje kozmetike për të ruajtur dinjitetin personal, sesa një qëndrim institucional i fortë për mbrojtjen e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve.

Kjo lë të hapur dy pyetje thelbësore:

A e ka pranuar vetë në heshtje këtë nënvlerësim simbolik të përfaqësimit të tij dhe të komunitetit që përfaqëson?

Apo është thjesht i pafuqishëm përballë një strukture qeveritare që edhe partia e tij është pjesë e Qeverisë?

Në një kohë kur çdo përfaqësues shqiptar duhet të jetë zë i fuqishëm i komunitetit të vet për barazi reale – jo vetëm formale – mungesa e një reagimi të drejtpërdrejtë nga z.Sejdi mund të interpretohet ose si dëshirë për të mos prishur “raportet e mira me pushtetin”, ose si mungesë e vetëdijes për peshën që mbart përfaqësimi zyrtar.

Në fund të ditës, kjo nuk është vetëm çështje simbolike. Është treguesi më i qartë i mënyrës se si shqiptarët trajtohen në nivelet më të larta institucionale – dhe një provë përballë së cilës liderët lokalë shqiptarë, përfshirë z. Sejdi, duhet të marrin qëndrim të qartë: ose heshtin dhe bëhen pjesë e problemit, ose flasin dhe bëhen pjesë e zgjidhjes.