MaqedoniTop Lajme

Arsovska godet ambasadoren e SHBA-së: Çfarë kërkojnë të dyshuar për korrupsion në festën e 4 Korrikut?

Shpërndaje

Kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, ka reaguar ashpër ndaj Ambasadës së SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, pas pritjes zyrtare të organizuar me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Arsovska shprehu habinë dhe shqetësimin e saj për praninë e disa figurave politike në listën e VIP-ve të ftuar, për të cilët, siç thekson ajo, ka dëshmi të pakontestueshme për përfshirje në korrupsion në mbi 150 raste, dhe ndaj të cilëve po zhvillohen hetime serioze nga institucionet vendase.

Arsovska publikoi edhe një fotografi ku dy politikanë të njohur shihen të buzëqeshur në rreshtin e parë gjatë pritjes në Ambasadë, duke shtuar:

“Në vend që këta persona të ndodhen në listën e zezë të sanksioneve të SHBA-ve për korrupsion dhe shkelje të të drejtave të njeriut, ata ishin në vend të nderit në Ambasadë.”

Ajo përkujtoi se SHBA-të prej vitesh kanë sanksionuar politikanë, gjyqtarë dhe zyrtarë të lartë në rajon, edhe vetëm për shkak të dyshimeve për korrupsion – ndërsa në këtë rast, sipas saj, “ka prova të qarta dhe jo thjesht akuza”.

Arsovska përfundon reagimin me një thirrje simbolike:

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë, me shpresë për Liri dhe Drejtësi për të gjithë ne që jetojmë në Maqedoni, të kërcënuar nga Visar Ganiu, Izet Mexhiti dhe Ejup Ademi.”

Reagimi i saj ka shkaktuar debat në opinion dhe ka ngjallur interes për qëndrimin e Ambasadës Amerikane ndaj figurave të përfolura për korrupsion, veçanërisht në një kohë kur zyrtarët amerikanë theksojnë rëndësinë e luftës kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor.