BDI: Kalaja e Shkupit të mbrohet nga ndërhyrjet që rrezikojnë autenticitetin e saj
Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur shqetësimin lidhur me projektin e paralajmëruar për ndërtimin e objekteve të reja në hapësirën e Kalasë së Shkupit, të cilat, në vend të ruajtjes dhe promovimit të vlerave historike, rrezikojnë të shëmtojnë dhe të tjetërsojnë origjinalitetin arkitektonik e kulturor të këtij lokaliteti me rëndësi të veçantë për të gjithë qytetarët.
Kalaja e Shkupit, sipas BDI-së, është dëshmi shekullore e bashkëjetesës dhe historisë shumëetnike të këtij vendi.
“Ndërhyrjet e mëhershme që nuk kanë pasur karakter shkencor dhe restaurues, tash po mendohet të plotësohen me ndërtime të reja që as nuk pasqyrojnë realitetin historik, e as nuk respektojnë autenticitetin e trashëgimisë kulturore. Bashkimi Demokratik për Integrim beson se Kalaja nuk duhet të bëhet arenë për përfitime politike apo përpjekje për imponim simbolik. Çdo projekt i ardhshëm duhet të jetë i bazuar në standarde profesionale dhe në respekt të plotë të origjinalitetit dhe vlerave të trashëgimisë së përbashkët kulturore”.
BDI i bën thirrje Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve relevante që të ndërpresin çdo iniciativë që mund të dëmtojë identitetin historik të Kalasë dhe të përfshijnë ekspertë të trashëgimisë kulturore, arkeologë dhe historianë në mënyrë që çdo ndërhyrje të jetë transparente dhe larg çdo tendence politizimi apo etnizimi.
“Kalaja e Shkupit duhet të ruhet dhe restaurohet, jo të ndërtohet mbi të dhe as të riinterpretohet në dritën e agjendave ditore. Mbrojtja e origjinalitetit të saj është përgjegjësi e përbashkët dhe një kontribut në ndërtimin e një shoqërie të matur dhe të barabartë për të gjithë”.