MaqedoniTop Lajme

BDI zyrtarizon kandidatët: Bujar Osmani për Çairin, Bajram Rexhepi për Tetovën dhe Emir Sulejmani për Zhelinën

Shpërndaje

Bashkimi Demokratik për Integrim ka bërë publike sot emrat e kandidatëve të saj për komunat kyçe në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e kryesisë qendrore të partisë, Bujar Osmani do të garojë për postin e kryetarit të Komunës së Çairit, Bajram Rexhepi do të jetë kandidat për Tetovën, ndërsa Emir Sulejmani do të synojë udhëheqjen e Komunës së Zhelinës.

Njoftimi nga BDI:

Sot, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka thirrur mbledhjen e rregullt të Kryesisë Qendrore, në të cilën u diskutua mbi zhvillimet aktuale politike në vend, si dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Në këtë takim, u vlerësua lart angazhimi i lidershipit të BDI-së në krijimin e një fronti sa më të gjerë të bashkëpunimit ndërpartiak për një performancë të përbashkët në zgjedhjet lokale, në shërbim të interesave qytetare dhe konsolidimit të pushtetit vendor.
Kryesia Qendrore, në mënyrë unanime, vendosi që në krye të Shtabit Zgjedhor Qendror të emërojë Sekretarin e Përgjithshëm të BDI-së, z. Faton Ahmeti.
Po ashtu, me unanimitet të plotë, Kryesia konfirmoi edhe një pjesë të kandidatëve që do të garojnë për kryetarë komunash dhe bartës të listave të këshilltarëve në disa komuna:
• Në Komunën e Çairit, kandidat për kryetar komune do të jetë Dr. Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së
• Në Komunën e Tetovës, kandidat do të jetë z. Bajram Rexhepi, nënkryetar i BDI-së
• Në Komunën e Zhelinës, kandidat do të jetë z. Emir Sulejmani, kryetar i Degës së BDI-së në Zhelinë
• Në Komunën e Gostivarit, bartës i listës për këshillin komunal do të jetë z. Valdet Xhaferi, kryetar i degës së BDI-së në Gostivar
• Në Komunën e Strugës, bartës i listës për këshillin komunal do të jetë z. Faton Pollozhani, njëherazi kryetar i degës së BDI-së në Strugë
Në ditët në vijim, pas përfundimit të procesit të brendshëm partiak dhe me partnerët e koalicionit, do të konfirmohen edhe kandidatët tjerë për komunat e mbetura.
Gjithashtu, njoftojmë opinionin se nga Aleanca për Shqiptarët, të z. Ziadin Sela, presim propozime për kandidatë për kryetarë në komunat Strugë, Haraçinë dhe Dibër, ndërsa nga z. Arben Taravari, presim propozime për Gostivarin, Vrapçishtin, Tearcën dhe Sarajin.
BDI mbetet e përkushtuar ndaj një procesi zgjedhor të ndershëm, gjithëpërfshirës dhe me oferta të fuqishme programore për qytetarët në të gjitha komunat. Qytetarët si në referendum do të shënojnë fitoren e radhës në këto zgjedhje lokale.