Diplomon gjenerata e 62-të e Policisë së Kosovës (Foto)
Sot, më 11.07.2025, në sallën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, u mbajt ceremonia e diplomimit të ‘Gjeneratës së 62-të të Policisë së Kosovës’, gjeneratë kjo me kadetë të të dy gjinive dhe të të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Me praninë e tyre këtë ceremoni e nderuan personalitete të larta shtetërore, menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe familjarë të kadetëve policorë që diplomuan sot.
Krerët institucionalë iu drejtuan të pranishmëve me nga një fjalë, duke i uruar kadetët policorë për diplomimin e tyre si dhe iu dëshiruan mirëseardhje në familjen e madhe policore.
Në përfundim të ceremonisë u bë ndarja e certifikatave për kadetët policorë, si dhe u bë betimi zyrtar nga të gjithë të diplomuarit e kësaj gjenerate.
Në vijim keni fjalimin e drejtorit të Përgjithshëm të PK-së kolonel Gazmend Hoxha:
I nderuar Zv kryeministër Besnik Bislimi
I nderuar Ministër MPB se
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,
Të nderuar eprorë dhe policë
Të dashur familjare ,
Të nderuar përfaqësues të mediave
Dhe mbi të gjithë – të dashur kolegë të Gjeneratës së 62-të
Mire se keni ardhë në këtë ceremoni festive të Policisë së Kosovës!
Sot është një ditë e veçantë për ju, për familjet tuaja, për Policinë e Kosovës .
Sot ju po diplomoni fal dedikimit , sakrificës dhe vendosmërisë tuaj duke u betuar për t’i shërbyer ligjit dhe qytetarit.
Kjo ditë shënon përkushtimin tuaj të parë formal për t’u bërë pjesë e organizatës sonë policore, organizate kjo që ka për obligim të garantojë rendin dhe sigurinë në vendin tonë.
Ju keni arritur të kaloni një proces jo të lehtë të vlerësimit dhe trajnimit, sot po hapni një kapitull të ri jetës tuaj personale dhe profesionale.
Edhe pse sot është një dite festimi, dua të ndaj me ju edhe një mesazh personal, që vjen nga përvoja dhe reflektimi pas shumë vitesh pune ne uniformë te Policisë së Kosovës.
Uniforma policore nuk është vetëm privilegj , por mbi të gjitha është një përgjegjësi shumë e madhe, njëkohësisht është emocion e krenari duke pranuar detyrën e shenjte të shërbimit ndaj qytetareve dhe vendit.
Ju duhet të mbani mend se ju do të merrni vendime të rëndësishme gjatë karrierës suaj policore, po ju udhëzoj që çdo veprim që do merrni duhet jetë në harmoni me ligjin, procedurat e brendshme dhe urdhra të ligjshëm të eproreve tuaj.
Mos harroni se qytetaret në uniformen tuaj shohin shpresën, guximin presin mbrojtje, siguri. Ju duhet jeni aty të zbatoni ligjin pa mëdyshje, me përkushtim , ju duhet të jeni aty pranë për të mbrojtur viktimat nga dhunuesit, të drejtët nga të padrejtët.
Po ashtu, çdo veprim dhe sjellje, çdo fjalë e koment i juaj nuk do të jetë më veprim dhe sjellje e juaj personale, por një pasqyrim i Policisë së Kosovës.
Sjelljet dhe veprimet tuaja duhet gjithmonë të jenë legjitime, legale dhe humane dhe duhet te mbani mend një moto ndërkombëtare;
“TE GJITHE POLICET JANE NJEREZ, POR JO TE GJITHE NJEREZIT JANE POLICE”
Prandaj, jo gjithherë të gjithë do t’i kuptojnë veprimet dhe vendimet tona, mirëpo ne duhet t’i kuptojmë dhe t’i respektojmë ata sepse jemi një nga ata dhe do të duhet t’u shërbejmë me dinjitet dhe pa asnjë mëdyshje, qytetaret e vendit tonë pa dallim presin dhe meritojnë një polici profesionale dhe demokratike, e cila do t’u shërbejë duke i mbrojtur, duke u ofruar siguri për jetën, pronën, rendin dhe ligjin si dhe duke siguruar kufijtë shtetëror dhe sovranitetin e shtetin tonë.
Kjo është arsyeja pse unë sot nuk po u flas vetëm si drejtor, po u flas si dikush që ka përjetuar vështirësitë e natës në terren, presionin përballë rrezikut, përplasjen me padrejtësinë dhe shumë sfida tjera.
Në rrugën që ju keni zgjedhur do të përballeni me sfida, me gjuhë të mprehta, me mosbesim dhe nganjëherë edhe me vetminë e profesionit,
Por ju nuk do të jeni vet do të jemi këtu për ju për tu mbështetur në çdo hap që ju hidhni brenda organizatës tonë, përveç neve, ju do të gjeni edhe përkrahjen e kolegeve tuaj sepse ata do jenë tani e tutje vëllezërit dhe motrat tuja me cilët do të ndani çdo sfide, çdo gëzim dhe çdo moment gjate punës tuaj, andaj respektoni dhe mbështetin koleget tuaj.
Po ashtu, do t’u duhet edhe mbështetja e familjeve tuaj që pa dyshim se nuk do uu mungoi me vete faktin se sot janë bashkë me juve në këtë ceremoni festive.
Andaj, dua të falënderoj të gjithë familjaret tuaj, që ju kane mbështetur për të arritur deri në këtë moment,
Ju faleminderit të gjithëve që bijtë dhe bijat tuaja ia besuat Policisë së Kosovës.
Të dashur kolegë, u kërkoj të jeni shumë profesional, human e racional gjatë marrjes së vendimeve tuaja, mbajeni mend se arma më fortë me të cilën ju jeni pajisur, nuk është pistoleta dhe pajisjet tuaja, por arma me e fuqishme është komunikimi dhe qasja që ju do zgjidhni të aplikoni gjatë ballafaqimit me çfarëdo situate.
Të jeni të vetëdijshëm se juve do t’u duhet merrni vendime të shpejta, të nevojshme për raste shumë të renda, vendime këto që nganjëherë duhet të merren brenda disa sekondave, por mos harroni se veprimet tuaja dhe tona, të tjerëve do t’u duhen vite të tëra për t’i gjykuar dhe vlerësuar se a ka kanë qenë vendimet e marra të përshtatshme, të domosdoshme, proporcionale dhe të ligjshme
Tani me duhet të kalojmë në momente tjetër mjafte senzitiv .
Dua të shfrytëzoj këtë moment për të shprehur ngushëllimet e mia të sinqerta për të afërmit e të riut që humbi jetën gjatë arrestimit policor dite me parë dhe të ndaj një mesazh me të gjithë ju. Humbja e një jete, pavarësisht rrethanave, është thellësisht tronditëse.
Nga pozita e Drejtorit te Policisë së Kosovës, u garantoj se nuk toleroj çfarëdo forme eventuale të tejkalimit të autorizimeve policore, andaj kërkoj fuqishëm që Inspektorati Policor, Hetimet e Brendshme, institucionet e tjera të përdorin të gjitha burimet për të hetuar rrethanat e vdekjes se qytetarit tonë. Oficeret hetues të Policisë së Kosovës janë urdhëruar të bashkëpunojnë ngushtë me Inspektoratin Policor dhe autoritetet e tjera për të siguruar një pasqyrë të saktë të këtij rasti fatkeq.
Nga pozita e Drejtorit te Policisë së Kosovës, do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore bazuar në epilogun dhe rezultatet e një hetimi të plotë. Policia e Kosovës e mban uniformën me krenari, zbaton ligjin dhe mbron të gjithë qytetarët, pa paragjykime, dhe nuk do të tolerojë abuzime apo keqpërdorime te mundshme të autoritetit brenda agjencisë sonë. E vlerësoj punën e palodhur dhe përkushtimin e atyre që kërkojnë të vërtetën.
Policia e Kosovës ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nder institucionet me kredibile dhe me të besueshme të vendit tonë, bazuar në hulumtimet e shumë mekanizmave dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare, kjo po ashtu dëshmohet edhe me konkursin e fundit që para disa ditëve është mbyllur për aplikim, ku aplikuan mbi 7000 qytetarë nga të gjitha komunitet, të cilët kanë shprehur interesimin të bëhen pjese e organizatës sonë.
Ky besim është një përgjegjësi dhe ne duhet punojmë fortë për ta ruajtur dhe fuqizuar atë sepse, besimi në mes policisë dhe komunitetit që i shërben është çelësi i garantuar i suksesit të çdo organizate policore në boten bashkëkohore dhe demokratike.
Edhe pse sot është një dite festive, ne sot nuk guxojmë të kalojmë këtë ceremoni pa përmendur burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat e policisë që dhanë jetën e tyre në shërbim të qytetareve.
Ne mbajmë përgjegjësi jo vetëm t’i kujtojmë ata, por edhe të punojmë shume në përmbushjen e qëllimit të rënies së tyre, për një shoqëri të sigurt, një të ardhme të garantuar për brezat e të sotmes dhe të së ardhmes.
Lavdi jetës dhe veprës se tyre, qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!
Në këtë moment të rëndësishëm, dua të shpreh mirënjohjen time të veçantë për instruktorët dhe gjithë stafin profesional AKSP që e kanë përgatitur me përkushtim këtë gjeneratë duke mos kursyer asgjë nga vetja e tyre. Ju faleminderit për punën tuaj.
Të dashur kolege të rinj të Policisë sonë
Gjate rrugëtimit tuaj profesional nganjëherë edhe do të lodheni, dhe do te mund te pyetni veten:
“A ja vlen te barti uniformën dhe të merrni mbi supet tuaja këto përgjegjësi sfiduese ?”
Por unë ju them, ja vlen – vetëm nëse do te shërbeni me ndershmëri edhe kur askush nuk ju sheh.
A ja vlen–vetëm nëse i qëndroni të drejtës edhe kur është e pakëndshme.
A ja vlen – vetëm nëse, në fund të çdo dite, mund t’i shikoni sy e qytetarit dhe t’i thoni:
“Kam qenë aty për ty. Jo për vete.”
Policia e Kosovës është një organizate profesionale, efikase dhe e ngritur ne themele te forta demokratike, ajo është e gatshme dhe e afte të përballet me çfarëdo sfide me të cilën mund të përballet me qellim të përmbushjes së detyrave dhe autorizimet e saja ligjore dhe kushtetuese,
Policia jonë ka ndërtuar me shumë mund kapacitete dhe themele të forta njerëzore dhe materiale të cilat askush dhe asnjë sfidë nuk do të mund t’i lëkund e as t’i shembe.
E ju kolege të ri do te jeni një vlerë e re e shtuar për organizatën tonë.
Andaj mirë se erdhët në gjirin e familjes se madhe të policisë sonë.
Ne kemi nevojë për ju. Kosova ka nevojë për policë të ndershëm, të aftë dhe të drejtë. E ardhmja është në duart tuaja, andaj, ju lutem juve bëjeni atë të ndritshme Zoti ju bekoftë juve dhe familjet tuaja!