“Do dërgojmë sistem patriot në Kiev”, Trump: Putin flet mire, pastaj në mbrëmje bombardon Ukrainën
Presidenti amerikan Donad Trump ka premtuar se do ti dërgojë Kievit sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore, ndërkohë që Ukraina Rusia dhe e gjithë bota presin një deklaratë të rëndësishme nga ai, në lidhje me luftën mes dy vendeve.
Duke folur për gazetarët në një bazë ushtarake amerikane, Trump nuk dha detaje të mëtejshme për dërgesat e planifikuara të sistemeve Patriot në Kiev.
“Ne do t’ju dërgojmë sisteme Patriot, të cilat u nevojiten aq shumë, sepse Putin me të vërtetë i habiti shumë njerëz. Ai flet mirë dhe pastaj i bombardon të gjithë në mbrëmje. Nuk më pëlqen. Bashkimi Evropian do të paguajë për ato. Ne nuk do të paguajmë asgjë, por do t’i dërgojmë”, tha Trump.
Më herët Uashingtoni kishte thënë se do të ndërpriste disa furnizime me armë për Ukrainën, por pas zhgënjimit të Trump nga Putini, SHBA të kanë konfirmuar mbështetjen për Kievin me më shumë dërgesa armësh përmes vendeve anëtare të NATO-s ose aleatëve të tjerë evropianë.
Sistemi Patriot është një nga më të avancuarit në botë për mbrojtjen ajrore, i aftë të kapë raketa balistike, raketa lundruese dhe aeroplanë luftarakë.
Zhvillimet e fundit vijnë në një periudhë kur sulmet ruse ndaj Ukrainës janë qetësuar, pas një vale rekorde të sulmeve ajrore gjatë javëve të mëparshme.
Lufta Rusi- Ukrainë pritet të jetë në fokus të diskutimeve që shefi i NATO-s Mark Rutte do të zhvillojë me presidentin Trump dhe zyrtarët amerikan gjatë vizitës së tij në SHBA këtë të hënë.