Fetai: Nga 1 janari 2026 nuk do të ketë më tituj “bashkëpunëtor i ri” dhe “referent i ri”
Konferenca për shtyp nga zv.kryeministri Arben Fetai:
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
BDI-ja për dy dekada ka ndërtuar një model qeverisës që ka një tipar të vetëm dallues: improvizimet dhe zgjidhjet kozmetike. Ko parti, asnjëherë nuk e ka çuar asnjë proces deri në fund.
Rruga Shkup–Bllacë u bë simbol i mashtrimit dhe i dallaverave. Ligji për përfaqësim të drejtë mbeti premtim elektoral dhe nuk u miratua kurrë. Punësimi i shqiptarëve në administratë u shndërrua në makineri votimi, asnjëherë përpjekjepë barazi. Dhe mbi të gjitha, shqiptarët në administratë u trajtuan si qytetarë të dorës së dytë. Për 22 vite të qeverisjes së BDI-së, shqiptarët në institucione u getoizuan dhe u poshtruan, duke ngelur pafundësisht në kategorinë “bashkëpunëtor i ri”.
Ky titull nuk ishte vetëm gradë profesionale. “Bashkëpunëtor i ri” ishte etiketë e padrejtësisë. Njerëz të shkolluar, me përvojë dhe përkushtim profesional, mbetën të bllokuar në pozitën më të ulët për vite me radhë. U punësuan, por nuk u avancuan. Asnjëherë. U nënvlerësuan dhe u poshtruan sistematikisht. U lanë në harresë institucionale. Vetëm sepse ishin shqiptarë dhe nuk kishte kush t’u del zot.
Edhe kjo padrejtësi tashmë po merr fund.
Qeveria VLEN ka marrë një vendim historik në kuadër të reformës së administratës publike. Me ligjet e reja për administratën publike, do të shfuqizohen përfundimisht titujt diskriminues “pomlad sorabotnik” dhe “pomlad referent”, që për dy dekada poshtruan shqiptarët në çdo zyrë shtetërore. Me VLEN, nuk ka më “bashkëpunëtor të ri”! Nuk ka më “referent të ri”!
Duke filluar nga 1 janari 2026, të gjithë të punësuarit me titullin “bashkëpunëtor i ri” do të avancohen automatikisht në gradën “bashkëpunëtor”. Të punësuarit me titullin “bashkëpunëtor” do të bëhen “bashkëpunëtor profesional”. Ata me arsim të mesëm që mbajnë titullin “referent i ri” ose “referent” do të avancohen në gradën “referent i lartë”. Titulli “referent i lartë” do të zëvendësohet me “referent i pavarur”.
Të gjitha këto ndodhin automatikisht, me fuqinë e ligjit, pa procedura shtesë. Këto janë vendim i qartë për dinjitetin e nëpunësve administrativ.
Ky është dallimi mes nesh dhe atyre që sunduan shqiptarët për 22 vjet.
BDI kishte gjithë kohën ta bënte këtë gjë. Por nuk deshi apo nuk mundi. VLEN e bëri brenda vitit të parë të qeverisjes!
Kjo nuk është vetëm drejtësi administrative. Është korrigjim i një padrejtësie historike. Është politikë me integritet. Këtu bëhet fjalë për fuqizimin e shqiptarëve në institucione. Kështu japim një mesazh të qartë: se koha e nënçmimit ka përfunduar.
Tash është koha e respektit dhe e barazisë. Sepse për ne, barazia nuk është slogan fushate, por thelbi i pushtetit. Dhe këtë pushtet ne nuk e përdorim për të sunduar, nënshtruar apo kushtëzua. Pushteti për ne përdoret për të çliruar potencialin e shqiptarëve, për t’ua kthyer shqiptarëve dinjitetin e cunguar!
Faleminderit!
Arben Fetai, VLEN