Izraeli kërcënon me përshkallëzim ushtarak në Siri
Izraeli ka paralajmëruar se do të rrisë përfshirjen ushtarake në jug të Sirisë, nëse forcat qeveritare siriane nuk tërhiqen nga zonat e banuara nga pakica druze.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të mërkurën se ushtria izraelite “do të vazhdojë të godasë forcat e regjimit derisa ato të tërhiqen dhe do të rrisë nivelin e përgjigjes nëse mesazhi nuk kuptohet”.
Edhe kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli është i përkushtuar të ruajë rajonin jugperëndimor të Sirisë si një zonë të çmilitarizuar dhe të mbrojë pakicën druze në kufi.
Kërcënimi i Izraelit vjen pas shpërthimit të dhunës në qytetin Sueida, ku një armëpushim i arritur të martën mes forcave qeveritare siriane dhe grupeve të armatosura druze u thye të mërkurën.
Ministria siriane e Mbrojtjes akuzoi milicitë lokale për shkeljen e marrëveshjes, duke thënë se ushtria rifilloi operacionet për të “mbrojtur banorët dhe garantuar kthimin e sigurt të atyre që janë larguar”.
Përplasjet nisën mes grupeve të armatosura druze dhe fiseve sunite beduine në provincën Sueida dhe janë shoqëruar me raporte për vrasje pa gjyq, plaçkitje dhe djegie të shtëpive nga forcat e sigurisë.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi të paktën 250 të vrarë që nga fillimi i dhunës, përfshirë fëmijë, gra dhe dhjetëra pjesëtarë të ushtrisë dhe forcave të sigurisë.
Komuniteti druz, një pakicë fetare që buron nga një degë e islamit shiit, përballet me presion në rritje në Siri pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit në dhjetor.
Ndërsa disa pjesëtarë të pakicës druze kërkojnë integrim në sistemin e ri politik, të tjerë vazhdojnë të mbeten skeptikë dhe kërkojnë autonomi për rajonin e tyre.
Izraeli, ku jeton një pjesë e konsiderueshme e komunitetit druz, e konsideron këtë komunitet si aleat dhe është zotuar ta mbrojë nga kërcënimet në kufi./REL