Kinë – BE, takim në nivel të lartë në kuadër të Samitit të 25-të
Presidenti kinez Xi Jinping tha të enjten se Kina dhe Bashkimi Evropian (BE) janë të dyja forca konstruktive për multilateralizëm, hapje dhe bashkëpunim, duke u bërë thirrje të dyja palëve të ofrojnë më shumë stabilitet dhe siguri për botën.
Xi i bëri këto komente gjatë një takimi me presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin.
Ai nënvizoi nevojën që Kina dhe BE-ja të forcojnë komunikimin, të rrisin besimin dhe të thellojnë bashkëpunimin në një situatë ndërkombëtare më sfiduese dhe komplekse për të siguruar më shumë stabilitet dhe siguri për botën përmes marrëdhënieve të qëndrueshme dhe të shëndosha Kinë-BE.
Takimi vjen ndërsa udhëheqësit e BE-së vizitojnë Pekinin për Samitin e 25-të Kinë-BE, i cili përkon me 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe BE-së.
Gjatë 50 viteve të fundit, Kina dhe BE-ja kanë arritur rezultate të frytshme në shkëmbime dhe bashkëpunim, duke sjellë sukses të ndërsjellë dhe përfitime botës, tha Xi.
Për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve dypalëshe, kreu i shtetit të Kinës paraqiti një propozim trepikësh që lidhet me ruajtjen e respektit të ndërsjelltë dhe forcimin e partneritetit; në procesin që Kina dhe Evropa të mbështesin hapjen dhe bashkëpunimin, dhe të menaxhojnë siç duhet dallimet si dhe në praktikimin e multilateralizmit dhe mbrojtjen e rregullave dhe rendit ndërkombëtar.
Xi tha se Kina është e gatshme të koordinohet me Evropën për të dhënë kontribute më të mëdha në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe transformimit të gjelbër global. Kina është e etur të bashkëpunojë me Evropën në fushën e inteligjencës artificiale, duke çuar përpara multipolaritetin botëror të barabartë dhe të rregullt dhe globalizimin ekonomik gjithëpërfshirës.
Pala evropiane theksoi se gjatë 50 viteve të fundit, shkalla dhe thellësia e bashkëpunimit midis Kinës dhe Evropës janë zgjeruar, duke i bërë ato partnerë kryesore në tregti dhe bashkëpunim. Ata vlerësuan arritjet e zhvillimit të Kinës, duke e njohur atë si një fuqi prodhuese dhe teknologjike që ka nxjerrë qindra miliona njerëz nga varfëria. Evropa shprehu besim dhe mbështetje për zhvillimin e mëtejshëm të Kinës.
Pala evropiane theksoi gjithashtu se marrëdhëniet dypalëshe janë me rëndësi të madhe për të dyja palët dhe botën, dhe BE-ja është e angazhuar për thellimin e marrëdhënies, menaxhimin konstruktiv të dallimeve dhe sigurimin e suksesit të vazhdueshëm të bashkëpunimit në një bazë të ekuilibruar, të barabartë dhe reciprokisht të dobishme. Për më tepër, ata thanë se BE-ja nuk kërkon “shkëputje” prej Kinës dhe mirëpret investimet kineze në Evropë.
Përballë një bote të trazuar dhe të pasigurt, BE-ja ka theksuar se Kina dhe Evropa duhet të mbajnë përgjegjësi së bashku duke mbështetur multilateralizmin, duke mbështetur parimet dhe qëllimet e Kartës së OKB-së, duke përballuar sfidat globale si ndryshimet klimatike dhe duke promovuar paqen dhe stabilitetin rajonal.