Konfiskohet pallati në ndërtim në Vlorë, Rama: Këtë fat do të kenë të gjitha objektet me shkelje të lejes së ndërtimit
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur një aksion kombëtar për verifikimin e të gjitha objekteve në ndërtim në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga aksioni i IKMT-së në Vlorë, ku në terren ndodhej edhe kryeinspektorja Dallëndyshe Bici.
Rama bëri të ditur se të gjitha objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, sipas rastit e nevojës do të shemben apo konfiskohen nga shteti për funksione publike, ndërsa paralajmëroi ndjekje penale ndaj punonjësve të bashkive që lejojnë ndërtimet pa leje.
“Këtë fat do të kenë të gjitha objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, të cilat, sipas rastit dhe nevojës, do të shemben apo konfiskohen nga shteti për funksione publike. Ndërkohë që punonjësit e bashkive që kryejnë sipas ligjit akt-kontrollet në çdo fazë të ndërtimit dhe mbyllin sytë përpara shkeljeve, do t’i përcillen prokurorisë për një sërë veprash penale të mundshme”, deklaroi kryeministri.
Rama njoftoi gjithashtu se së shpejti do të miratohet reforma e re e kontrollit mbi territorin, e cila parashikon masa më të rrepta dhe përgjegjësi administrative e penale për “symbyllurit” , inspektorë, shefa bashkie, punonjës e shefa policie që abuzojnë me detyrën dhe taksat e shqiptarëve.
“Shqipëria 2030 në BE kërkon fundin e këtyre fenomeneve, ndërsa 99% e qytetarëve që respektojnë ligjin, meritojnë hapësira publike të pacenueshme më nga askush”, theksoi Rama.
Nga Vlora, ku IKMT po zhvillon kontrolle intensive, kryeinspektorja Dallëndyshe Bici bëri me dije se aksioni do të vazhdojë në të gjithë territorin për të garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.
Në vazhdën e kontrolleve, ky objekt do të konfiskohet dhe do t’i kalojë shtetit për interes publik. Të njëjtin fat do të kenë të gjithë ato subjekte që rezultojnë me leje ndërtimi, por që kanë ndërtuar në shkelje brutale të lejes së ndërtimit duke cenuar interesin publik dhe pronën e përbashkët”, deklaroi drejtoresha e IKMT-së.