RajoniTop Lajme

Kurti: GJND-ja vulosi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti kujtoi ditën kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se pavarësia e Kosovës nuk ishte shkelje e të drejtës ndërkombëtare.

Postimi i plotë:

Sot bëhen 15 vite nga shpallja e Mendimit Këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Mendimi Këshilldhënës i GjND-së i dha dritë njohjes vendimtare të së drejtës së popullit të Kosovës për shtetformim, vetëvendosje e liri. Ajo do mbetet akt i vulosjes së ligjshmerisë së pavarësisë së Kosovës në të drejtën ndërkombëtare, dëshmi për legjitimitetin ndërkombëtar të së drejtës për vetëvendosje të popullit të Kosovës dhe akt konfirmues i evidencës shoviniste e kolonizuese të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Mendimi Këshilldhënës është një nga momentet më frymëzuese në marrëdhëniet ndërkombëtare, për shkak se i jep shpresë e vullnet popujve liridashës që drejtësia ndaj kauzës së tyre më në fund edhe mund të triumfojë. Vlera juridike e këtij Mendimi, nuk do mend, do t’i shërbejë gjeneratave të juristëve si një mësim për parimësinë dhe etikën në vendosjen e interpretimin e vlerave universale. Ajo do mbetet edhe një mësim për Serbinë, e cila me nxitim loboi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ta pyetur Gjykatën për ligjshmërinë e pavarësisë së Republikës sonë. Nxitimi i saj u kthye në një humbje të madhe të politikës serbomadhe, e po ashtu simbolikisht një kujtim për viktimat e kolonizimit, diskriminimit sistematik e gjenocidit të saj.