MaqedoniTop Lajme

Kuvendi kujton Srebrenicën, Gashi: Për fat të keq s’është e fundit, një tjetër po ndodh në Gaza

Shpërndaje

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut shënoi 11 korrikun, Ditën Ndërkombëtare e Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Kryeparlamentari Afrim Gashi, u shpreh se mbi 8.000 jetët e shuara padrejtësisht nuk janë vetëm histori e trishtë e Srebrenicës, por janë një traumë kolektive dhe një thirrje e fuqishme për drejtësi dhe reflektim. Këtë më pas e lidhi edhe me atë që po ndodh në Gazë.

Fjalimi i plotë:
I nderuar Reis ul Ulema, Haxhi, Hafiz Shaqir ef. Fetahu,
I nderuar Kryetar i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Z. Limko Bejzaroski,
Të nderuar, Shkëlqësia Juaj Gregor Presker, Ambasador i Republikës së Sllovenisë dhe përfaqësues të korrit diplomatik,
Të nderuar përfaqësues të Qeverisë së RMV-së,
Të nderuar deputetë dhe ish-deputetë të Kuvendit,
Të nderuar përfaqësues të sektorit civil, të nderuar përfaqësues të mediave, zonja dhe zotërinj,

Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke iu dëshiruar mirëseardhje të ngrohtë, kam nderin e veçantë, por edhe përgjegjësinë e rëndë që t’ju drejtohem në këtë ngjarje përkujtimore të organizuar me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë. Ky tubim nuk është një akt formal, por një akt i domosdoshëm moral, njerëzor dhe demokratik për të nderuar dhe mos harruar kurrë këtë plagë të thellë të njerëzimit. Në këtë sallë, jemi për të dëshmuar se kujtesa në vetvete është një akt drejtësie.
Sot, edhe tridhjetë vjet më vonë, ne e ndjejmë se as gjaku nuk është tharë, as lotët nuk kanë reshtur e as dhimbja nuk është tretur. Është kjo një tragjedi që të gjithëve na e ndal frymën dhe na i harxhon fjalët. Тë flasësh për Srebrenicën nuk është aspak e lehtë. Çdo fjalë, çdo mesazh, çdo frazë që mund të them sigurisht është më e zbrazët e më e dobët, por edhe e pamjaftueshme për ta përshkruar thellësinë e dhimbjes që është përjetuar më 9-11 korrik të vitit 1995 në Bosnjë. Mbi 8.000 jetët e shuara padrejtësisht nuk janë vetëm histori e trishtë e Srebrenicës, por janë një traumë kolektive dhe një thirrje e fuqishme për drejtësi dhe reflektim.
Në radhë të parë, dua t’i kujtojmë dhe nderojmë viktimat që humbën jetën në mënyrë të pafalshme. Ata do të mbeten përgjithmonë në kujtesën tonë dhe në ndërgjegjen e njerëzimit. Kujtimi i tyre është themeli mbi të cilin duhet ta ndërtojmë përgjegjësinë tonë morale. Kur e vizitojmë varrezën e Potoçarit në Srebrenicë, ne kemi ndjenjën se çdo gur aty na qorton që jeta e tij u shua në mënyrë të pamëshirshme vetëm sepse përkatësia e tij etnike dhe fetare kishte qëlluar në vendin “e gabuar” dhe në kohën “e gabuar”. Heshtja mortore e Potoçarit është britma e ndërgjegjes njerëzore dhe klithma për ta tërhequr vëmendjen e botës se për sa pak indiferencë ka nevojë Luciferi që një incident të vogël ta shndërrojë në gjenocid. Dhe, për fat të keq, Srebrenica nuk është e fundit. Një Srebrenicë tjetër, madje me përmasa shumë më të mëdha, po ndodh sot në Gaza, ku një popull është ekspozuar në zhdukje fizike dhe po vdes jo vetëm nga plumbat e granatat, por edhe për mungesë të bukës. Luciferit nuk i ka mjaftuar Srebrenica dhe, si duket, nuk do t’i mjaftojë as Gaza.
Ne nuk guxojmë të jemi indiferentë përballë gjenocidit, gjuhës së urrejtjes, relativizmit historik dhe kërcënimeve ndaj paqes. Të gjithë kemi një detyrim moral dhe politik të mos lejojmë që e kaluara të heshtet, të falsifikohet e, mos dhashtë Zoti, të harrohet.
Gjenocidi nuk është një çështje që i takon vetëm një populli, por as nuk është pronë e së shkuarës. Ai është një mesazh për të tashmen dhe për të ardhmen. Prandaj e jona nuk është vetëm të kujtojmë, por edhe të reflektojmë, të flasim dhe të nxjerrim mësim.
Dhe, ja tash, jemi përsëri këtu – tri dakada pas Srebrenicës – që ta pyesim veten: a kemi bërë sa duhet për të ndërtuar një Ballkan ku drejtësia dhe paqja triumfojnë mbi mohimin dhe urrejtjen?; A kemi ngritur breza që mësojnë për Srebrenicën, jo vetëm si një kapitull i errët, por edhe si një mësim jetik për ta ndërtuar të ardhmen?; A kemi ndërtuar dialog dhe ura mirëkuptimi apo i kemi inkurajuar narrativat që ushqejnë urrejtje dhe përçarje? A kemi arritur të dalim mbi përkatësitë tona të ngushta identitare në gjerësinë e përkatësisë së robërve të Zotit, që u krijuan nga Ai me dashuri dhe u sfiduan me përgjegjësi? Këto janë pyetje që presin prej nesh jo vetëm përgjigje të sinqerta, por edhe veprime konkrete.
Nëse ne të gjithë, pa marrë parasysh identitetin tonë etnik e fetar, por edhe pozicionin tonë shoqëror, do të jemi më të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për jetën e njeriut, për dinjitetin e njeriut, jam i bindur se kurrë nuk do të ndodhte Srebrenica. Është indiferenca jonë kolektive ndaj tjetrit, është prepotenca jonë se “kjo nuk po ndodh në oborrin tim” dhe është neglizhenca duke menduar se gjithnjë kemi punë më të rëndësishme se kujdesi për njeriun, ato që bëhen armë dhe ushqim për Luciferin dhe luciferizmin, që këto vese t’i përkthejë në tragjedi njerëzore.
Të nderuar të pranishëm, më 11 korrik 1995 nuk u vranë vetëm 8000 e më shumë boshnjakë në Srebrenicë, por u vra njerëzimi dhe njerëzorja. Andaj, derisa u përulemi me nderim viktimave të Srebrenicës, ju inkurajoj të angazhohemi që e kaluara të mos përsëritet. Le ta bëjmë kujtesën një akt që ndërton jo vetëm memoriale, por edhe shoqëri më të drejta, më të ndjeshme dhe më humane. Sepse, siç thotë proverbi i njohur, “Kushdo që e harron të kaluarën, është i ndëshkuar ta jetojë përsëri.”