BotaTop Lajme

Mbahet ceremonia e varrimit për shtatë viktimat e gjenocidit të Srebrenicës

Shpërndaje

Mbetjet e shtatë viktimave të gjenocidit të vitit 1995 të kryer nga forcat serbe në Srebrenicë, në Bosnjë e Hercegovinën lindore, u varrosën në Varrezën Përkujtimore të Potoçarit, raporton Anadolu.

Një ceremoni u mbajt në Varrezën Përkujtimore të Potoçarit për shtatë viktimat e identifikuara të gjenocidit, i cili konsiderohet tragjedia më e keqe njerëzore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe në të cilin të paktën 8.372 civilë boshnjakë u vranë brutalisht nga forcat serbe.

Para ceremonisë, shumë personalitete, përfshirë presidentë, kryeministra dhe ministra nga shumë vende, vendosën lule në memorial.

Në ceremoni mori pjesë edhe një delegacion nga Turqia i kryesuar nga kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Numan Kurtulmuş.

Namazi i xhumasë u drejtua nga Kreu i Çështjeve Fetare të Turqisë, Ali Erbaş, dhe lutjet e varrimit u drejtuan nga Reisul-ulema i Bashkësisë Islame të Bosnjë e Hercegovinës, Husein Kavazoviq.

Pas një lutjeje për dëshmorët, u lexuan një nga një emrat e shtatë viktimave të gjenocidit dhe më pas trupat u çuan në varret e tyre të përgatitura më parë, ku u varrosën nga të afërmit e tyre.

Gjatë varrimit të viktimave të gjenocidit u përjetuan momente emocionale, ku si familjet, ashtu edhe ata që morën pjesë në ceremoni nuk i mbajtën dot lotët.

Më të rinjtë nga shtatë viktimat që u varrosën në varrezat përkujtimore të Potoçarit gjatë ceremonive përkujtimore më 11 korrik janë Senajid Avdiq dhe Hariz Mujiq, të cilët ishin 19 vjeç kur u vranë. Ndërkaq, Fata Bektiq, gruaja e vetme dhe viktima më e vjetër që u varros këtë vit, ishte 67 vjeç kur u vra.

Emrat e shtatë personave që u varrosen këtë vit janë: Senajid Avdiq, Hariz Mujiq, Fata Bektiq, Hasib Omeroviq, Sejdalija Aliq, Rifet Gabeljiq dhe Amir Mujiq.

– “Ta kuptojmë mirë gjenocidin boshnjak në mënyrë që të tërheqim vëmendjen e gjithë botës ndaj gjenocidit në Gaza”

Kreu i Çështjeve Fetare të Turqië, Ali Erbaş, në një deklaratë për gazetarët, rikujtoi se 250.000 njerëz u martirizuan në luftën e viteve 1992-1995 në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërsa uroi mëshirën e Zotit mbi ta.

Duke theksuar se njerëzit u strehuan në një fabrikë në Srebrenicë 30 vjet më parë, Erbaş tha: “Siç ka thënë Alija Izetbegoviq, ‘Mos e harroni gjenocidin; nëse e harroni, do të ndodhë përsëri’, ne jemi këtu sot për ta kujtuar atë. Këtu e kuptojmë edhe një herë rëndësinë e atdheut dhe shtetit tonë. Prandaj, duhet t’i rrisim të rinjtë tanë me dashuri për vendin tonë, duhet t’i rrisim të rinjtë dhe fëmijët tanë me frymën e martirizimit dhe vetëdijen e të qenit veteran”.

Erbaş vuri në dukje nevojën për një shtet të fortë dhe një komb të fortë dhe më tej vazhdoi:

“Ne duhet të sjellim të rinjtë tanë këtu dhe të shpjegojmë se çfarë i ndodhi Bosnjës në zemër të Evropës. Këtu, ne mund ta shohim dhe kuptojmë më mirë hipokrizinë e vrasësve. Ndërsa përkujtojmë gjenocidin e 30 viteve më parë, sionistët pushtues aktualisht po kryejnë gjenocid në Gaza. As Perëndimi dhe as shumica dërrmuese e atyre që flasin këtu nuk interesohen. Le ta kuptojmë siç duhet gjenocidin boshnjak në mënyrë që të tërheqim vëmendjen e të gjithë botës ndaj gjenocidit në Gaza”.

– Numri i të varrosurve gjatë gjenocidit është rritur në 6.772

Pas pushtimit të Srebrenicës nga forcat serbe nën komandën e Ratko Mlladiqit më 11 korrik 1995, civilët boshnjakë që kërkuan strehim tek ushtarët holandezë që vepronin nën strukturën e OKB-së iu dorëzuan më vonë serbëve.

Serbët, të cilët lejuan gratë dhe fëmijët të arrinin në zonën e kontrolluar nga ushtarët boshnjakë, masakruan të paktën 8.372 burra boshnjakë në pyje, fabrika dhe depo. Boshnjakët e masakruar u varrosën në varre masive.

Me ceremoni që mbahet çdo vit më 11 korrik në Varrezën Memoriale të Potoçarit, pas identifikimit të kryer varrosen viktimat, trupat e të cilëve janë gjetur në varre masive në punimet e filluara pas luftës për të gjetur të zhdukurit.

Pas ceremonisë së këtij viti, numri i viktimave të varrosura në varrezat përkujtimore u rrit në 6.772.