Nën vëzhgimin e QUINT-it, nesër përpjekja e fundit për konstituimin para afatit të Gjykatës Kushtetuese
Në përpjekjen e 52-të dhe të fundit për konstituimin e Kuvendit para skadimit të afatit kushtetues, pritet të marrin pjesë ambasadorë të vendeve të huaja në Kosovë.
Ambasada Gjermane ka bërë të ditur se ambasadori Jorn Rohde, bashkë me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë, planifikojnë të jenë të pranishëm në seancën që do të mbahet nesër nga ora 11:00 në Kuvend.
“Duke qenë se nesër është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ndërsa, seanca e 51 ka dështuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Kësaj radhe nuk pati votim fare.
Kjo pasi pati një përplasje mes kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliut.
Deputetja Ganimete Musliu është afruar te kryesuesi Dehari dhe nuk e ka lejuar ta vazhdojë seancën, pa ia ndezur mikrofonin.
Si rezultat, Dehari tha se nuk ka kushte për vazhdimin e seancës.
Kurse, 26 korrik skadon afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.