“Plazhi i lirë” kontrolle në zonën e Golemit, procedohen penalisht 2 shtetas
Vijojnë kontrollet në zbatim të planit operacional të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.
Procedohen penalisht 2 shtetas, pasi kishin zënë 2 hapësira publike dhe i kishin përshtatur për kryerjen e aktiviteteve ekonomike, në kundërshtim me ligjin.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Bashkiake, në zbatim të planit operacional “Plazhi i lirë”, kanë ushtruar kontrolle në zonën e Golemit.
Nga kontrollet u konstatua se shtetasit R. M., B. T, kishin zënë nga një hapësirë publike dhe i kishin përshtatur për kryerjen e aktiviteteve të ndryshme ekonomike, pa leje nga organet kompetente.
Në vijim të veprimeve për këto raste, u referuan materialet procedurale në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasi R. M., 36 dhe B. T., 63 vjeç, të banues në Kavajë, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës do të vijojë kontrollet për të ndaluar çdo shkelje që cenon hapësirat publike dhe sigurinë e pushuesve. Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112.
Vlorë
Lirohet një hapësirë publike e kthyer në parkim të paligjshëm, në lagjen “Rilindja” si dhe vijojnë masat ndaj automjeteve që bllokojnë qarkullimin në qytet dhe zonat turistike.
Pas ankesave të qytetarëve për një hapësirë publike që ishte zënë dhe po përdorej në mënyrë të paligjshme si parkim automjetesh, midis pallateve të banimit në lagjen “Rilindja”, shërbimet e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë, ndërhynë dhe bënë të mundur lirimin e kësaj hapësire, duke rikthyer aksesin për të gjithë banorët e zonës.
️ Paralelisht, gjatë 48 orëve të fundit, strukturat e DVP Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Vlorë kanë intensifikuar kontrollet për ndëshkimin e drejtuesve që parkojnë në mënyrë të gabuar, duke penguar qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe automjeteve, veçanërisht në zonat më të frekuentuara si “Muradia”, bulevardi “Ismail Qemali”, Lungomare, si dhe në akse të tjera me fluks të shtuar për shkak të sezonit turistik.
Si rezultat, vijojnë të vendosen qindra masa administrative ndaj drejtuesve që kanë bllokuar trotuaret dhe rrugëkalimet për këmbësorët, si dhe të largohen me karrotrec automjetet që pengojnë qarkullimin në qytet.
✅ Kontrollet do të vijojnë çdo ditë, me qëllim garantimin e rendit, sigurisë dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve.
⚠️ Apel për drejtuesit e automjeteve:
Mos bllokoni hapësirat publike! Parkimi i dyfishtë dhe çdo shkelje që pengon qarkullimin do të ndëshkohen me masa administrative, deri në procedim penal për veprën “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” (neni 293 i Kodit Penal). Automjetet do të tërhiqen me karrotrec, pa paralajmërim!
Tiranë/Vijon lirimi i hapësirave publike të zëna në mënyrë të kundërligjshme.
Lirohet një hapësirë e përbashkët pallati, e kthyer në mënyrë të paligjshme në vendparkim automjetesh, në rrugën “Medar Shtylla”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Bashkiake dhe të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, ndërhynë në një hapësirë të përbashkët pallati në rrugën “Medar Shtylla”, e cila ishte zënë pa leje dhe ishte kthyer në një vendparkim automjetesh.
Në përfundim të veprimeve për rastin, u procedua penalisht shtetasi A. D., 39 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.Automjetet e parkuara në mënyrë të kundërligjshme u tërhoqën me karrotrec.
Policia e Tiranës vijon apelimin se nuk do të tolerohet asnjë rast i cenimit të hapësirave publike.Ftojmë qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të tillë, në numrin 112!