Prodhuesi i dronëve në Turqi, Baykar përfundon procesin për blerjen e kompanisë italiane të aviacionit Piaggio Aerospace
Ministria Italiane e Ndërmarrjeve dhe “Made in Italy” njoftoi se me kryerjen e nënshkrimeve ka përfunduar procesi i blerjes së kompanisë italiane të aviacionit Piaggio Aerospace, nga kompania kryesore e aviacionit në Turqi, Baykar, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga ministria u tha se “Në prani të ministrit italian të Ndërmarrjeve dhe ‘Made in Italy’ përfundoi operacioni që miraton transferimin përfundimtar tek kompania turk Baykar të aseteve të Piaggio Aero Industries dhe Piaggio Aviation të cilat janë dy kompani që operojnë nën menaxhim të jashtëzakonshëm dhe nën markën Piaggio Aerospace”.
“Në kuadër të marrëveshjes, Baykar merr përsipër të ruajë nivelet aktuale të punësimit në Villanova d’Albenga dhe Genova dhe është planifikuar rritja e numrit të punonjësve në mënyrë proporcionale me zgjerimin e aktiviteteve të prodhimit”, thuhet në deklaratë.
Më tej thuhet se blerja në fjalë është brenda një bashkëpunimi më të gjerë industrial midis Italisë dhe Turqisë. “Ajo gjithashtu përfshin krijimin e një sipërmarrjeje të përbashkët midis Baykar dhe Leonardo për zhvillimin e përbashkët të mjeteve ajrore pa pilot (UAV). Baykar ka paraqitur plan ambicioz industrial për Piaggio Aerospace dhe do të bëjë investimet e nevojshme strategjike për të siguruar stabilitetin dhe rritjen e kompanisë”, theksohet në deklaratë.
Ndër të tjera në deklaratë përfshihen pikëpamjet e ministrit italian të Ndërmarrjeve dhe “Made in Italy”, Adolf Urso, i cili e përshkroi këtë proces transferimi si një “operacion strategjik”.
– Postime të ndërsjella nga Piaggio dhe Baykar në mediat sociale
Pas deklaratës së ministrisë, në një postim në turqisht nga llogaria X e Piaggio Aerospace u bënë deklaratat në të cilat thuhet “Ne me krenari njoftojmë se Piaggio Aerospace i është bashkuar familjes BAYKAR, prodhuesit më të madh të UAV-ve në botë! E ardhmja është në qiell!”.
Llogaria X e Baykar iu përgjigj postimit të Piaggio-s në turqisht dhe italisht, duke thënë: “Mirë se vini në familjen Baykar, Piaggio Aerospace! Ne do ta ndërtojmë të ardhmen e aviacionit së bashku. Jemi krenarë”.