RajoniTop Lajme

Qeveria hap “thesin” për bujqësinë, Rama takime me fermerët në Cërrik, premton rritjen e mbështetjes

Shpërndaje

Në një takim me fermerët në Cërrik, kryeministri Edi Rama vendosi prioritet hapësirën rurale duke kërkuar nga të pranishmit të evidentonin problemet dhe të ndaleshin te pjesët kryesore që kërkojnë mbështetje.

“Ky është një hap i parë për të ndërtuar më pas një proces dhe pasur tryeza të përbashkëta diskutimi për fshatin edhe në nivel qarku, ku mund të ftohen edhe të tjerë por duke u nisur nga konkluzionet e para të këtij diskutimi. Pra është nevojë e jona, e madhe e jona, që të rrisim impaktin e institucioneve që në letër në misionin e tyre kanë mbështetjen e bujqësisë, e zhvillimit rural por në realitet kanë dobësi të mëdha”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se në dizpozicion të fermerëve është vendosur një linjë e re kredie nga Banka e Shqipërisë, prej 250 mln Eurosh, ndërsa kritikoi kryebashkiakët.

“Qysh se është bërë reforma administrative territoriale dhe bashkitë janë zgjeruar me përmasën e hapësirës rurale, në vend se kjo të sillte rritje të vëmendjes dhe një rritje të mundësive për fermerët dhe sipërmarrjen në fshat, ka sjellë një shkëputje në një masë të madhe, kryetarët e bashkive e shohin fshatin si çështje të urbanizmit, infrastrukturës rrugore, të pastrimit, të ndriçimit, por nuk e shohin, si pjesë të punës së tyre të përditshme në funksion të zhvillimit”, tha Rama.

Rama kërkoi më tepër angazhim për Paketën e Maleve, për të shmangur rrezikun e të mbeturit e pashfrytëzuar.

Takimi do të zhvillohet edhe te enjten dhe diskutimi do të jetë mbi mbështetjen për bujqësinë nga buxheti i shtetit, mundësitë për të rritur financimin apo skemat kombëtare.