Rektori i UT-së i mirëpriti studentët fitues të Çmimit të Parë për Shkresat më të Mira – “Best Memorial Award”
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli i priti sot në një takim studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës të cilët u shpërblyen me Çmimin e Parë për Shkresat më të Mira – “Best Memorial Award”, në kuadër të kompeticionit ndëruniversitar University Law Competition 2025 të organizuar nga Halimi Foundation Institute në Tiranë.
Pjesëmarrja në këtë garë prestigjioze e studentëve Amra Azizi, Sejhan Zendeli, Batije Aliji dhe Fadlan Kadrija u realizua nga Klinika Juridike e Fakultetit Juridik të UT-së, nën udhëheqjen e Doc. Dr. Njomza Selimi-Osmanit, si dhe me bashkëmentorimin e Prof. Dr. Arta Bilalli-Zendelit dhe avokatit Ibraim Bajramit. Ekipi i studentëve tregoi përgatitje të lartë profesionale dhe aftësi të shkëlqyera në hartimin dhe prezantimin e shkresave, duke u dalluar në mesin e shumë universiteteve pjesëmarrëse.
Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli shprehu urimet dhe mirënjohjen e tij për studentët dhe profesorët për këtë arritje duke vlerësuar se ky sukses është dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm dhe përgatitjes cilësore.
Ky kompeticion mblodhi së bashku 16 universitete nga hapësirat shqiptare, duke ofruar një platformë të rëndësishme për zhvillimin e aftësive ligjore të studentëve për të promovuar mendimin kritik, punën ekipore dhe aftësinë për të argumentuar juridikisht në mënyrë profesionale.