BotaTop Lajme

Rregulla të reja për hyrjen në zonën Schengen – Sistemet EES dhe ETIAS, prekin edhe shtetasit e Ballkanit Perëndimor

Shpërndaje

Rregulla të reja për hyrjen në zonën Schengen: Sistemet EES dhe ETIAS do të prekin edhe shtetasit e Ballkanit Perëndimor

Duke filluar nga tetori 2025, Bashkimi Evropian do të nisë zbatimin e dy sistemeve të reja për kontrollin e kufijve të jashtëm:
• EES (Sistemi i Hyrjes dhe Daljes) – hyn në fuqi në tetor 2025
• ETIAS (Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit) – fillon në fund të vitit 2026, me zbatim të detyrueshëm në vitin 2027

Këto rregulla do të prekin edhe shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia), të cilët aktualisht gëzojnë regjim pa viza për hyrje të shkurtër në zonën Schengen.

1. Çfarë është EES?

EES – Entry/Exit System është një sistem elektronik që regjistron automatikisht të gjitha hyrjet dhe daljet e shtetasve nga vendet jo-anëtare të BE-së që hyjnë në zonën Schengen për qëndrim afatshkurtër (deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore).

Çfarë do të bëjë EES?
• Do të zëvendësojë vulosjen fizike të pasaportës
• Do të regjistrojë:
• Datën dhe kohën e hyrjes/daljes
• Pikat kufitare të kalimit
• Gjurmët e gishtave dhe fotografinë (biometrikë) – për herën e parë që udhëtarët hyjnë
• Do të llogarisë automatikisht kohëzgjatjen e lejuar të qëndrimit
• Do të sinjalizojë shtetet anëtare nëse një person ka qëndruar më gjatë sesa lejohet

Zbatimi fillon në tetor 2025, fillimisht pa të dhëna biometrike për 60 ditë, pastaj me përdorim të plotë në janar 2026.

2. Çfarë është ETIAS?

ETIAS – European Travel Information and Authorisation System është një autorizim paraprak udhëtimi, i detyrueshëm për shtetasit e vendeve që kanë regjim pa viza me BE-në.

Kush duhet të aplikojë?
• Të gjithë shtetasit e Ballkanit Perëndimor që nuk kanë nevojë për vizë për qëndrime të shkurtra në zonën Schengen
• Aplikimi bëhet online, përpara udhëtimit

Sa kushton?
• 20 euro për çdo aplikim (më parë ishte 7 euro)

Sa zgjat autorizimi?
• Vlefshmëria është 3 vjet ose deri në skadimin e pasaportës

Zbatimi fillon në fund të 2026, por bëhet i detyrueshëm nga viti 2027

Përjashtime nga pagesa:
• Të miturit nën 18 vjeç
• Personat mbi 70 vjeç
• Anëtarët e familjes së shtetasve të BE-së që gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë

3. Pse është e rëndësishme kjo për qytetarët tanë?

Qytetarët duhet të përgatiten dhe informohen në kohë, sepse:

-Nuk do të lejohen në kufi pa autorizim ETIAS
-Do t’u merren të dhëna biometrike në hyrjen e parë
-Sistemi do të detektojë çdo tejkalim të qëndrimit dhe do të sjellë ndëshkime, përfshirë ndalimin e hyrjes në BE

4. Thirrje për informim dhe përgatitje

U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, organizatave, mediave dhe institucioneve publike që:
• Të ndjekin me kujdes informacionet zyrtare
• Të informojnë familjarët, të afërmit dhe diasporën
• Të përgatisin dokumentet në kohë dhe me kujdes

Mosnjohja e rregullave të reja nuk përbën arsye justifikuese për shkelje. Vetëm përmes informimit dhe respektimit të rregullave mund të ruhet liria e lëvizjes dhe dinjiteti i udhëtarëve tanë.