RajoniTop Lajme

Seanca e Kuvendit të Kosovës për herë të 51-të pa rezultat

Shpërndaje

Kur kanë mbetur vetëm edhe pak ditë për skadimin e afatit të caktuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, është shënuar përpjekja e 51-të me radhë e dështuar, raporton Anadolu.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ashtu sikurse nga 1 maji 2025, propozoi krijimin e Komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të pozitës së Kryetarit të Kuvendit, por, kur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, doli në foltore, ajo nuk propozoi ndonjë emër por vazhdoi me fjalim politik, gjë që e shtyu kryesuesin Dehari t’i ndalte mikrofonin asaj.

Por, Musliu, pas ndaljes së mikrofonit në foltore, iu kundërpërgjigj në të njëjtën mënyrë kryesuesit, duke mos e lënë as atë të flasë.

Pas kësaj situate kryesuesi Dehari tha se nuk ka kushte për vazhdimin e seancës, duke bërë të ditur se seanca vazhdon më 25 korrik 2025, në orën 11:00.

Në sallë gjatë kësaj përpjekje ishin të pranishëm 98 deputetë.

Presidentja Vjosa Osmani tashmë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim rreth asaj se çfarë ndodhë nëse kalohet afati 30 ditor, apo data 26 korrik, pa u konstituuar Kuvendi.

Osmani gjithashtu ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese edhe masë të përkohshme për pezullimin e rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh, gjë që sipas saj, do të nënkuptonte “pezullim të afatit deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me çështjet e ngritura”. Kjo do të bënte edhe që të mos ketë nevojë që seancat të mbahen çdo 48 orë.

Nga opozita vazhdimisht kanë kërkuar që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, por, nga deklarimet e tij, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e LVV-së, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga LVV dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, nxori vendimin ku konstatoi që seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë, pra deri më 26 korrik më së largu, por, pa bërë të ditura pasojat e moszbatimit të këtij afati.