Tërmeti në Rusi: Mijëra njerëz në Hawaii shkojnë drejt zonave më të larta pas paralajmërimeve për cunami
Mijëra banorë në Hawaii janë nisur drejt zonave më të larta pasi u dha një paralajmërim për cunami pas një tërmeti me magnitudë 8.8 ballë që goditi Gadishullin Kamchatka në lindjen e largët të Rusisë, raporton Aandolu.
Guvernatori i këtij shteti amerikan, Josh Green tha se deri më tani nuk është vërejtur ndonjë “valë me pasoja”, por paralajmëroi se autoritetet kanë konstatuar një tërheqje të konsiderueshme të ujit.
“Deri më tani nuk kemi parë ndonjë valë me pasoja”, tha Green në një konferencë për media, duke shtuar se mund të duhen edhe dy deri në tri orë përpara se të mund të lëshohet sinjali i sigurisë “gjithçka në rregull”.
Pas tërmetit të fuqishëm, Sistemi Amerikan i Paralajmërimit për Cunami lëshoi paralajmërim për valë të mëdha përgjatë disa pjesëve të bregdetit të Rusisë, Japonisë, Alaskës dhe Hawaiit.