Turqia reagon ndaj sulmeve izraelite në Damaskun qendror
Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka theksuar se sulmet e Izraelit në Damaskun qendror synojnë të sabotojnë përpjekjet e vendit për paqe dhe stabilitet, transmeton Anadolu.
Ministria turke lëshoi një deklaratë me shkrim në lidhje me sulmet e Izraelit ndaj Damaskut.
“Pas ndërhyrjeve ushtarake të Izraelit në Sirinë jugore, sulmet që i ka kryer tani në qendër të Damaskut janë një përpjekje për të sabotuar përpjekjet e Sirisë për të siguruar paqen, stabilitetin dhe sigurinë”, tha ministria turke.
Në deklaratë thuhet se populli sirian ka një mundësi historike për të jetuar në paqe dhe për t’u integruar me botën dhe se të gjithë palët e interesuara që e mbështesin këtë mundësi duhet të kontribuojnë në përpjekjet e administratës siriane për të vendosur paqen.
Avionët luftarakë izraelitë nisën një sulm ajror në hyrje të selisë së Shtabit të Përgjithshëm të Sirisë rreth mesditës dhe e shënjestruan ndërtesën dy herë të tjera këtë pasdite.