Ushtria izraelite bastis anijen humanitare Handala e cila po udhëtonte drejt Gazës
Forcat izraelite bastisën sonte anijen e ndihmës “Handala” që po shkonte në Gaza, në të cilën gjendeshin 21 persona, treguan pamjet nga një transmetim i drejtpërdrejtë, transmeton Anadolu.
Transmetimi i drejtpërdrejtë kapi momentin kur ushtarët izraelitë bastisën anijen, të armatosur, dhe urdhëruan aktivistët të ngrinin duart.
“Handala u ndalua”, tha Koalicioni i Flotiljes së Lirisë në Telegram.
Ema Fourreau, një nga pasagjerët në anijen Handala që u nis për në Gaza, njoftoi fillimin e ndërhyrjes në anije duke shkruar në X: “Ushtria izraelite është këtu. Shihemi së shpejti. Fund gjenocidit”.
Fati i ekuipazhit dhe aktivistëve të anijes mbetet i panjohur, pasi transmetimi i drejtpërdrejtë u ndërpre papritur gjatë bastisjes.
Më parë, Handala kishte lëshuar një thirrje për ndihmë ndërsa forcat detare izraelite po afroheshin. Anija, e cila u nis nga Italia, po transportonte formulë për foshnja, ushqim dhe ilaçe në përputhje me ligjin ndërkombëtar detar dhe humanitar. Në bord gjendeshin civilë të paarmatosur, përfshirë ligjvënës, mjekë dhe vullnetarë.
Izraeli e çon anijen humanitare Handala në Portin e Ashdodit, merr në pyetje aktivistët në bord
Forcat izraelite e kanë çuar në Portin e Ashdodit në Izraelin jugor anijen humanitare Handala të kapur, që synonte të thyejë rrethimin në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Anija Handala, që mbante formula për foshnje, ushqim dhe ilaçe, u kap mbrëmë nga forcat izraelite pranë bregdetit të Gazës.
Në bord ishin 21 civilë të pa armatosur, përfshirë ligjvënës, mjekë dhe vullnetarë.
Transmetuesi publik izraelit KAN tha se aktivistët në bordin e anijes u morën në pyetje me të mbërritur në Portin e Ashdodit dhe do të transferohen në Policinë e Izraelit për procedura të mëtejshme.