Vihet gurthemeli i Stacionit të Policisë së Kosovës në Zubin Potok
Është vënë gurthemeli i Stacionit të Policisë së Kosovës në komunën me shumicë serbe në veri të Kosovës, në Zubin Potok.
Në vënien e gurthemelit të stacionit të ri policor morën pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i shoqëruar nga ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësdrejtori i Përgjegjshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri si dhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani.
Me këtë rast, ministri Sveçla tha se ky stacion modern do të ofrojë kushte komode për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, do të ofrojë siguri edhe më të madhe si dhe do të jetë adresë e raportimit për të gjithë qytetarët pa dallim.
Ai theksoi se për të ofruar siguri më të lartë, duhet t’i shtohet edhe infrastruktura përcjellëse moderne.
“Mbetemi të përkushtuar në ruajtjen e sigurisë së qytetarëve, qetësisë publike, pa dyshim edhe shtrirjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë”, theksoi ministri Sveçla.
Kosova në vitet e fundit ka nisur ndërtimin e stacioneve të reja policore në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe edhe pse një gjë e tillë kundërshtohet vazhdimisht nga përfaqësuesit e serbëve në vend.