RajoniTop Lajme

ZRRE paralajmëron bizneset: Nëse s’keni lidhur kontrata, nga nesër mbeteni pa rrymë

Shpërndaje

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka paralajmëruar bizneset që ende s’kanë lidhur kontrata me furnizuesit e licencuar, që nga nesër mund do të mbesin pa rrymë, shkruan Reporteri.net.

Sipas ZRRE’së, procesi i hapjes së tregut të energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente dhe të paanshme, duke respektuar të gjitha standardet procedurale dhe materiale.

“Ligjshmëria e këtij procesi po konfirmohet çdo ditë nga gjykatat kompetente, përmes aktvendimeve që mbështesin veprimet e ZRRE-së, duke vërtetuar se të gjithë hapat janë ndërmarrë në përputhje me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Furnizimi i përkohshëm përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF) përfundon sot më 30 korrik 2025. ZRRE thotë se periudha tranzitore e garantuar për furnizim prej 60 ditësh është e përcaktuar në ligj dhe nuk mund të zgjatet me vendime administrative.

“ZRRE u bën thirrje të gjithë konsumatorëve komercialë që duhet të jenë në treg të lirë dhe që ende nuk kanë lidhur kontratë komerciale të furnizimit, të veprojnë pa vonesë dhe të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar, të publikuar në faqen zyrtare të institucionit, sepse nga data e nesërme pasojnë ndërprerjet pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht. ZRRE mbetet e përkushtuar për të garantuar një treg te energjisë elektrike të drejtë, funksional dhe konkurrues, në shërbim të konsumatorëve dhe në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet evropiane”, përfundon njoftimi.