Analiza e BBC/ Takimi i pazakontë në Shtëpinë e Bardhë për paqen në Ukrainë, Trump, Zelensky dhe liderët evropianë në tryezën e diskutimeve. Çfarë kërkon secila palë?
Në Shtëpinë e Bardhë pritet të zhvillohet sot një ditë ndryshe nga çdo ditë tjetër, teksa liderë botërorë bëjnë një vizitë të rrallë kolektive për bisedime vendimtare mbi Ukrainën.
Ajo që ishte parashikuar si një takim mes dy presidentëve, Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky, tashmë është shndërruar në një samit të vërtetë.
Liderët e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Italisë, Finlandës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s kanë udhëtuar me urgjencë përtej Atlantikut për të dhënë fjalën e tyre mbi mënyrën se si duhet të përfundojë lufta trevjeçare me Rusinë dhe me çfarë kushtesh.
Ky mobilizim pasqyron peshën e madhe të momentit dhe shqetësimet në rritje të Evropës se SHBA mund të ketë ndryshuar pozicionin e saj, në një drejtim më pak të favorshëm për Ukrainën.
SHBA – një marrëveshje, çfarëdo marrëveshje
Trump e kishte premtuar në fushatë se do ta zgjidhte konfliktin që ditën e parë të mandatit, por gjashtë muaj më vonë marrëveshja e madhe ende nuk është arritur.
Për Trump kushtet e një marrëveshjeje kanë qenë më pak të rëndësishme se vetë fakti i arritjes së saj, ndaj qëndrimet e tij kanë ndryshuar disa herë.
Pas takimit me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë të premten, Trump duket se ka hequr dorë nga kritikat ndaj Moskës dhe kërcënimet për sanksione, duke e vendosur gjithë presionin mbi Zelenskyn.
Në një postim të vonë të së dielës, ai paralajmëroi presidentin ukrainas se duhet të heqë dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO dhe të pranojë humbjen e Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014.
I dërguari i tij, Steve Witkoff, tha se SHBA do t’i ofronte Evropës garanci sigurie për të frenuar agresionin e mëtejshëm rus, por detajet ende nuk janë bërë të qarta. Deri më tani, Uashingtoni i ka rezistuar kërkesave evropiane që të angazhohet për sigurinë e ardhshme të Ukrainës.
Ukraina – refuzim për dorëzim territoresh
Presidenti Zelensky gjendet në një pozitë të vështirë: duhet të mbrojë qëndrimet e tij përballë një Donald Trump gjithnjë e më të paduruar, i cili duket se është ndikuar nga Putini dhe e ka akuzuar tashmë Zelenskyn se po pengon paqen.
Trump pritet t’i kërkojë atij të japë territore. Një kërkesë e tillë është gati e pamundur për Zelenskyn, pasi do të nënkuptonte tërheqje nga Donetsku dhe Luhansku, rajone ku mijëra ushtarë ukrainas kanë luftuar dhe kanë humbur jetën që prej vitit 2022.
Dorëzimi i tokës do t’i linte gjithashtu Rusisë në kontroll zona të mëdha që mund t’i përdorte në të ardhmen si trampolinë për sulme të tjera. Pa garanci të forta sigurie, që mund të ofroheshin nga NATO, por që Trump i ka përjashtuar, Zelensky nuk mund të pranojë lëshime territoriale.
Për më tepër, Ukraina shqetësohet se Trump duket të ketë kaluar nga ideja e një armëpushimi në kërkesën për një marrëveshje të plotë paqeje, proces që mund të zgjasë shumë dhe gjatë së cilës Rusia të vazhdojë sulmet.
Evropa – kërkesa për angazhim amerikan
Liderët evropianë do të përpiqen ta detyrojnë Trump të sqarojë se çfarë nënkuptojnë garancitë e sigurisë që SHBA pretendon se do t’i ofrojë Ukrainës.
Paqartësia e deklaratave amerikane ka shkaktuar alarm në Evropë, ku ekziston frika se nëse Ukraina detyrohet të heqë dorë nga tokat, kontinenti mund të përballet sërish me një precedent të rrezikshëm: rishikimin e kufijve përmes forcës.
Këto shqetësime të thella shpjegojnë edhe vendimin e paprecedentë që ka sjellë një numër kaq të madh liderësh në Shtëpinë e Bardhë në momentin e fundit.
Rusia – më shumë tokë ukrainase
Në samit nuk do të marrë pjesë asnjë përfaqësues rus. Megjithatë, duket se Putini ka arritur të ushtrojë mjaftueshëm ndikim mbi Trump gjatë takimit në Alaskë, sa që Moska është e sigurt se qëndrimet e saj do të përfaqësohen.
Trump ka deklaruar se Ukraina nuk do të hyjë në NATO, një kërkesë kryesore e Rusisë, ndërsa Moska kërkon gjithashtu kontroll të plotë mbi Donbasin, çka do të thotë dorëzim i territoreve që Kievi ende kontrollon në Donetsk dhe Luhansk.
Për më tepër, Rusia ka arritur t’i imponojë Trumpit idenë se tani është detyrë e Zelenskyt të bëjë një marrëveshje, ndonëse e di shumë mirë se ai nuk mund të pranojë hapur lëshime territoriale. Një fitore për Moskën do të ishte që ky tension të çonte Trumpin të largohej nga tavolina e negociatave, duke e lënë Ukrainën dhe evropianët të vetmuar përballë sfidave./BBC