MaqedoniTop Lajme

ASh::“Bota Serbe” depërton në RMV edhe përmes Telekom Serbia – VLEN , ortaku i heshtur

Shpërndaje

ASh: “Bota Serbe” depërton në RMV edhe përmes Telekom Serbia – VLEN , ortaku i heshtur

Deklaratat e fundit të Drejtorit të Përgjithshëm të Telekom Serbisë, Vladimir Luçiq, për investime shtesë prej 50 milionë eurosh në Maqedoninë e Veriut, nuk janë aspak një lajm i mirë për demokracinë dhe as për sovranitetin e vendit. Ato janë dëshmi e qartë e zgjerimit sistematik të projektit gjeopolitik të ashtuquajtur “Bota Serbe” – me mbështetje të drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar dhe në heshtjen komode të Shkupit.

Maqedonia e Veriut po kthehet shpejt në një koloni ekonomike dhe mediatike të Serbisë, pa asnjë reagim institucional, pa debat publik dhe pa asnjë vizion strategjik për mbrojtjen e interesit shtetërorë. Ajo që ndodhi në Mal të Zi po ndodh edhe këtu, para syve tanë, kapje e tregut të telekomunikacionit, pushtim i hapësirës mediatike, dhe ndërtim i infrastrukturës kritike në duart e kompanive të kontrolluara nga qeveria e Vuçiqit.

Ndërkohë, qeveria VMRO-VLEN hesht si ortak i verbër, duke u marrë me iluzione reformash dhe poste drejtorësh, ndërsa ndikimi serb zgjerohet pa asnjë pengesë.

Pyetja është e qartë dhe decide: A është Telekom Serbia një investitor ekonomik neutral, apo instrument politik i Beogradit për të kontrolluar narrativën dhe rrjetin e informacionit në Maqedoninë e Veriut?

A janë paratë e Telekom Serbisë vetëm për rrjete optike dhe sinjal celular, apo edhe për propagandë të strukturuar, ndërtim influence dhe përgatitje për operacione më të thella destabilizuese në rajon?

Për Aleancën për Shqiptarët, kjo nuk është vetëm çështje ekonomike – është çështje sigurie të shtetit.
Kërkojmë transparencë të plotë nga qeveria për këtë investim dhe konfirmim të qartë nëse janë respektuar standardet europiane të kontrollit të investimeve strategjike.
Gjithashtu, kërkojmë nga Agjencia për Siguri Kombëtare (DSK) dhe Komisioni për Parandalimin e Influencave të Huaja që të shqyrtojnë në mënyrë të thelluar përfshirjen e Telekom Serbisë në vend.

VLEN nuk mund të fshihet më pas retorikës së boshatisur për “ndryshim”. Të qeverisësh do të thotë të mbrosh interesin kombëtar. Në këtë rast, VLEN po dështon rëndë. Po hesht kur duhet të reagojë.

VLEN është mirë të kthjellohet dhe të zgjohet nga gjumi i pushtetit. Të kthehet te populli dhe të kërkojë ndjesë publike për çorientimin dhe pasivitetin që po lejojnë këtë rrëshqitje të rrezikshme të shtetit.

Aleanca për Shqiptarët nuk do të jetë spektatore e këtij skenari të rrezikshëm.
Ne nuk do të lejojmë që Maqedonia e Veriut të shndërrohet në oazë të “Botës Serbe” në zemër të Ballkanit, dhe as që qytetarët shqiptarë të mbeten të nënshtruar nën një valë të re dominimi ekonomik, mediatik dhe politik të orkestruar nga Beogradi.

Aleanca për Shqiptarët

Владимир Лучиќ за Newsmax Balkans: Телеком Србија инвестира 50 милиони евра во Северна Македонија – целиме кон лидерска позиција