MaqedoniTop Lajme

BDI: Bilall Kasami vazhdon me betonizimin e Tetovës dhe shitjen e papërgjegjshme të pronës publike

Shpërndaje

Reagim nga BDI-Dega Tetovë:
Bilall Kasami vazhdon me betonizimin e Tetovës dhe shitjen e papërgjegjshme të pronës publike
Tetova çdo ditë po humb pamjen e saj të gjelbër dhe të lirë për shkak të politikave të mbrapshta të kryetarit Bilall Kasami. Në vend që të punojë për zhvillim të qëndrueshëm, ajër më të pastër dhe hapësira të gjelbra për qytetarët, ai po e betonizon çdo cep të qytetit, duke e kthyer Tetovën në një kaos urban, në një qytet pa identitet.

Pronat publike që u takojnë të gjithë qytetarëve po shiten si të ishin pasuri private, duke i shërbyer interesave të klanit të tij dhe jo të ardhmes së qytetit. Këto veprime dënohen çdo ditë nga qytetarët të cilët përballen me këto devijime në përditshmërinë e tyre. Jo vetëm që jetesa sot është bërë e vështirë dhe e papërballueshme në këtë qytet por këto veprime të papranueshme janë shumë të dëmshme sidomos për gjeneratat që do të vijnë.

Rasti i fundit me ndryshimet e planifikuara për Bllokun Urban 42 në Tetovë ka ngritur shqetësime serioze në opinion. Drafti i ri i planit urbanistik, i miratuar nga Komuna e Tetovës, shënon fundin e Qendrës së Vjetër Tregtare dhe në vend të saj parashikon ndërtimin e dy kullave të mëdha banesore e afariste.

Në radhë të parë, një zhvillim i tillë pritet të ndikojë negativisht në komunikacion, duke rritur ndjeshëm qarkullimin e automjeteve në një zonë tashmë të ngarkuar. Për më tepër, ndërtimi i kullave të larta do të thellojë procesin e betonizimit të qytetit, duke reduktuar hapësirat publike të gjelbra dhe duke cenuar ekuilibrin estetik e historik të qendrës së vjetër.

Tetova nuk ka nevojë për më shumë betonizim, por për më shumë gjelbrim, parqe, shkolla, kopshte dhe infrastrukturë cilësore. Ka nevojë për plan të mirëfilltë afatgjatë dhe punë të mira e të mbara. Qyteti ynë meriton vizion, jo improvizime dhe vendime të shpejta që lënë pasoja afatgjata.

Qytetarët tanimë po ngrejnë zërin dhe do të mbrojnë pronën publike, do ta ruajnë qytetin e dy universiteteve sepse Tetova është e të gjithëve, jo e individëve që e përdorin për përfitime politike e personale.