BDI: Premtuan bankë shqiptare, po sjellin bankë serbe
BDI ka shpreh shqetësim të thellë për përshpejtimin e penetrimit të “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut, që pas Telekomit Serb, po hyn fuqishëm edhe në sektorin bankar përmes “Alta Bank”.
Nga BDI thonë se ky nuk është një investim i zakonshëm financiar, por një operacion i strukturuar politik dhe ekonomik i Beogradit për të siguruar kontroll strategjik mbi institucionet kyçe të vendit, me përfshirje aktive të partnerëve qeveritarë, përfshirë VLEN-in.
“Burime nga Banka Popullore bëjnë të ditur se drejtimin e “Alta Bank” në Maqedoni pritet ta marrë ish-anëtarja e Kryesisë së OBRM-PDUKM-së dhe ish-zëvendësguvernatore, Maja Kadievska Vojnoviq, bashkëpunëtore e ngushtë e kryeministrit në fushën e ekonomisë. Emërimi i saj vjen si rezultat i lobimit personal të Mickoskit tek Aleksandar Vuçiq, duke e lidhur drejtpërdrejt bankën me strukturat politike të Serbisë.
Sipas burimeve të brendshme, një nga arsyet e emërimit të Trajko Slavevskit si guvernator ka qenë premtimi i tij se do të eliminojë çdo pengesë për hyrjen e “Alta Bank” në tregun vendor, pavarësisht paralajmërimeve të profesionistëve të Bankës Popullore për rreziqet që kjo sjell për reputacionin financiar të vendit në sytë e autoriteteve evropiane.
Kjo ndërhyrje është pjesë e së njëjtës strategji që BDI e ka denoncuar më herët: prioritetizimi i lidhjeve me Beogradin dhe boshtin lindor, vizitat e figurave me qendrime proruse si Millorad Dodik, promovimi i Korridorit 10 në vend të Korridorit 8, përfshirja e figurave fetare serbe në aktivitete shtetërore dhe donacionet me prejardhje serbe në vend. Tani, me kapjen e sektorit bankar, “Bota Serbe” do të ketë mundësinë të financojë bizneset e afërta me qeveritarët, duke i futur ata në skema edhe më të mëdha korruptive dhe duke i bërë të varur nga interesat e Beogradit”, akuzojnë nga BDI.
Nga BDI thonë se institucionet që duhet të mbronin sigurinë kombëtare po heshtin ose janë bërë pjesë e këtij procesi.
“Agjencia e Inteligjencës dhe Agjencia për Siguri Kombëtare, që duhet të alarmonin për rreziqet, janë shndërruar në struktura inerte ose të kontrolluara politikisht. Presidentja dhe kabineti i saj, në vend që të mbrojnë interesin shtetëror, po minimizojnë ose shpërndajnë lajme të rreme për të maskuar natyrën e vërtetë të këtij operacioni”, shtojnë nga atje.