MaqedoniTop Lajme

BESA 4, LD dhe grupi i Arben Fetait me nga 3 kandidatë. Përplasje në Likovë!

Shpërndaje

Edhe pse do të garojnë nën logon e koalicionit VLEN, megjithatë nga katër parti, BESA e Bilall Kasamit dhe Lëvizja Demokratike do të kenë nga katër kandidatë për komuna, ndërkohë që Alternativa do të ketë vetëm dy. Kjo nga 14 emrat që ka publikuar VLEN-i zyratrisht, ndërkohë që emrat e kandidatëve për Komunën e Gostivarit, për Çashkën, Vrapçishtin dhe Studeniçanin do të publikohen ditët në vijim, pasi po diskutohen më shumë emra.

“Jemi në bisedime me disa kandidatë dhe të mundshëm, gjithnjë në përpjekje për t’i ofruar emrat më të mirë për këto komuna”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Gazeta KOHA merr vesh Alternativa e Zeqirija Ibrahimit ka kërkuar edhe Komunën e Studeniçanit. Në këtë komunë, VLEN-i po kalkulon nëse duhet mbështetur kandidatura për mandatin e katërt të Azem Sadikut, ose të dilet me kandidat të ri.

Ndërkohë, asnjë sqarim nuk ka tani për tani nëse VLEN-i do të mbështetë kandidaturën e pavarur të Visar Ademit në Gostivar. Gazeta KOHA merr vesh se ka ndasi brenda VLEN-it nëse duhet të mbështetet ose jo Visar Ademi. Nga kandidatët e pavarur, VLEN mbështetje i ka dhënë vetëm Mendy Qyrës për Strugë.

Lëvizja Demokratike ka tre kandidatë:
1. Izet Mexhiti – Çair
2. Muhamed Elmazi – Saraj
3. Haqim Ramadani – Bërvenicë

Lëvizja BESA ka katër kandidatë:
1. Bilall Kasami – Tetovë
2. Blerim Sejdiu – Zhelinë

3. Daut Memishi – Tearcë
4. Fatmir Limani – Kërçovë

Grupi i Arben Fetait:
1. Bashkim Bakiu – Qyteti i Shkupit
2. Nexhmedin Sadiku – Likovë
3. Feti Abazi – Bogovinë

Alternativa mbetet me vetëm një kandidat
1. Fisnik Mela – Dibër
2. Blerim Islami – Dollnen

Kandidati për Komunën e Haraçinës, Daut Beqiri, duket se është pranuar njëzëri nga të gjitha partitë e VLEN-it, edhe pse më i afërt duket të jetë me grupin e Arben Fetait dhe Izet Mexhitit.

Në ndërkohë, në Likovë është shënuar përçarja e parë e strukturave të VLEN-it. Është koordinatori i Degës së LD-së, njëherësh koordinator i Qeverisë për Diasporën, Mustaf Veseli ai që mund ta braktis Izet Mexhitin, pasi ky i fundit hoqi dorë nga Komuna e Likovës dhe i la vendin kandidatit të grupit të Arben Fetait.

Në një status në Facebook, Mustaf Veseli duket se i la çu porosi kreut të LD-së.

“Ashti ne fyt!
Në qoftë se dikush mendon se nuk kuptojmë, gabon.
Në qoftë se dikush mendon se nuk kemi guxim, gabon.
Në qoftë se dikush mendon se jemi të parëndësishëm, gabon.
Në qoftë se dikush mendon se nuk kemi përkrahje, gabon.
Në qoftë se dikush mendon se nuk kemi Ideal dhe Pragmatizëm politik, GABON.
Ashti në fyt!”, shkruan Mustaf Veseli.