RajoniTop Lajme

Dëshmitare kundër ish krerëve të UÇK-së? Gërvalla: Kur unë kam kontribuar për luftën, disa kanë qenë duke pirë qumësht

Shpërndaje

Donika Gërvalla, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, që të mërkurën nuk mori votat e partive që deri tash ishin në opozitë ka mohuar se ka qenë dëshmitare në Gjykatën Speciale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Ajo theksoi se është fushatë që bëhet për denigrimin dhe baltosjen e personalitetit të saj.

“…Nuk jam dëshmitare e Hagës…Pyetni avokatët e të akuzuarve në Hagë se ku figuron emri im, në cilën dëshmi figuron emri im… Është keq kur fushatën kundër një ministri e bazon në gënjeshtra… Sot e tutje do të marr hapa ligjor kundër secilit që pretendon publikisht se unë kam dërguar dëshmi në Hagë ose jam dëshmitare…Ndoshta nuk e kanë ditur në fillim të procesit, por sot gjithkush e dinë sepse trajtimi i dëshmive nga ana e akuzës ka përfunduar”, tha Gërvalla.

Ajo po ashtu foli edhe për kontributin e saj në luftën çlirimtare.

“Edhe diçka të gjithë ata që më sulmojnë në publik si anti-UÇK duhet të maten fort mirë, sepse mund t’ju dalë që historia të tregojë se kur unë kam kontribuar në luftën çlirimtare si person dhe strukturë disa të tjerë ende kanë qenë duke pirë qumësht”, shtoi Gërvalla.

Ajo ka thënë se të paktën deputetët e ish-partisë së saj, Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë pasur më shumë se një arsye për ta votuar.

Pas dështimit për të zgjedhur kryeparlamentarin edhe të premten, në propozimin për Hekuran Muratin, Gërvalla ka thënë se kjo tregon se bllokimi s’lidhet me emra, por me mosgatishmërinë e opozitës për të shkuar në fazë të re.

“Frika e opozitës nga Qeveria Kurti 3 është shpërfaqur hapur muajve të fundit dhe s’ka asnjë arsyetim që mund ta bindë cilindo qytetar të republikës që qenka çështja për emra të përveçëm”, ka thënë ajo, teksa ka lidhur sërish emrat e partive opozitare shqiptare me atë të Listës Serbe. “Kushtetuta e thotë shumë qartë, propozimi është i subjektit fitues. Subjekti fitues sot ka dhënë emrin e tretë me radhë dhe përsëri reagimi i njëjtë. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe… AAK-ja sot mësoi nga gabimet e kaluara dhe të paktën abstenoi nga frika se mos përsëri po identifikohet nga qytetarët me Listën Serbe, por këto tri subjekte politike shqiptare dhe Lista Serbe që s’është parti serbe, por që synimin e saj thelbësor e ka zhbërjen e Kosovës… S’e ka vendin në Kuvend, s’e ka vendin në udhëheqje komunale dhe prandaj jemi këmbëngulës që të mos ndodhë certifikimi i saj për zgjedhje dhe nuk do të guxojë të ndodhë”, ka thënë ajo.