Erdoğan: Komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësi të madhe për të vendosur armëpushim të menjëhershëm në Gaza
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se komuniteti ndërkombëtar ka një përgjegjësi të madhe për të vendosur një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe për të ofruar sa më parë ndihmë humanitare në rajon, transmeton Anadolu.
Siç njofton Drejtoria e Komunikimit e Turqisë, deklarata e presidentit Erdoğan erdhi gjatë një samiti trepalësh në Stamboll me kryeministren italiane, Giorgia Meloni dhe kryeministrin e Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Libisë, Abdul Hamid Dbeibeh.
Duke theksuar agresionin dhe tragjedinë humanitare të Izraelit në Gaza, presidenti Erdoğan tha se e vetmja zgjidhje e qëndrueshme është krijimi i një shteti sovran, të pavarur dhe gjeografikisht të integruar të Palestinës me kryeqytet Kudsin Lindor, bazuar në kufijtë e vitit 1967.
Drejtoria e komunikimit tha se bashkëpunimi midis vendeve dhe çështjet rajonale gjithashtu u diskutuan në samit.
Erdoğan theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis tre vendeve në adresimin e sfidave me të cilat përballet rajoni i Mesdheut, duke përfshirë lëvizjet e migracionit të parregullt.
Presidenti turk gjithashtu theksoi se zgjidhjet afatgjata dhe të qëndrueshme, si dhe koordinimi shumëpalësh janë të nevojshme për të zhdukur burimin e migracionit të parregullt.
Drejtoria turke tha se gjatë samitit u vendos që liderët të takohen për të diskutuar vendimet e marra pas mbledhjes së komiteteve të bashkëpunimit.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vazhduar me ofensivës brutale në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 60.300 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.