Gjykata Kushtetuese u jep shans edhe 30 ditë deputetëve: Zgjidheni kreyparlamentarin me votim të hapur, e keni obligim konstituimin e Kuvendit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me seancën konstituive të Kuvendit, ku është konstatuar se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka bërë shkelje serike kushtetuese.
Megjithatë, aktgjykimi përcakton se Dehari është i obliguar që në seancën e ardhshme ta vazhdojë punën nga pika 3 e rendit të ditës të miratuar më 8 prill, duke ftuar përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, me votim të hapur.
Kjo gjykatë ka konstatuar që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.
Gjykata ka theksuar se deputetët janë të detyruar që jo më vonë se 30 ditë të përmbyllin seancën konstituive duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Sipas Kushtetueses, për shkak se seancat e deritanishme nuk janë zhvilluar në përputhje me aktgjykimin në rastin KO124/25, procesi duhet të rikthehet në fazën ku kishte mbetur.
“Në vijim të kësaj, Gjykata sërish vë në dukje parimet dhe standardet që ndërlidhen me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ashtu siç është specifikuar më lart, Gjykata rithekson që mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën mosrespektim të Kushtetutës. Prandaj, në kuptim të moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese,ashtu siç është afirmuar edhe nga Komisioni i Venecias, masat e nxjerra për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë legjitime, (shih paragrafin 69 të Opinionit CDL-AD (2017) 003). Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vlerëson që, për faktin që seancat e deritanishme nuk janë zhvilluar sipas Aktgjykimit në rastin KO124/25, procesi duhet të kthehet në fazën që kishte mbetur. Për këtë arsye, Gjykata thekson që vazhdimi i Seancës Konstituive me qëllimin për të konstituuar dhe funksionalizuar Kuvendin e Republikës së Kosovës është në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe që vazhdimi i Seancës Konstituive konsiderohet si i domosdoshëm në mënyrë që Kuvendi i Republikës së Kosovës si organ përfaqësues, ligjvënës dhe mbikëqyrës të jetë plotësisht funksional në ushtrimin e mandatit kushtetues.”, thuhet në nenin 132 të këtij aktgjykimi të Kushtetueses.