MaqedoniTop Lajme

Ka nisur afati i parë i regjistrimeve në Universitetin e Tetovës për vitin akademik 2025/2026

Shpërndaje

Tetovë – Universiteti i Tetovës ka hapur sot afatin e parë të regjistrimeve për vitin akademik 2025/2026. Ky afat do të zgjasë deri më 29 gusht 2025 dhe do të zhvillohet në të gjitha trembëdhjetë njësitë akademike të universitetit.

Sipas Konkursit për regjistrimin e studentëve të rinj në ciklin e parë të studimeve, Universiteti i Tetovës ofron gjithsej 3,431 vende të lira, të ndara në kuotat shtetërore, bashkëfinancimit dhe studimeve me korrespondencë. Maturantët dhe kandidatët që plotësojnë kriteret e parashikuara mund të aplikojnë për regjistrim në programet studimore të ndryshme që ofron universiteti.

Aplikimi do të bëhet online përmes platformës www.apply.unite.edu.mk, ndërsa dokumentacioni i nevojshëm duhet të dorëzohet në administratën përkatëse të fakulteteve gjatë afatit të shpallur. Për programet e Fakultetit të Mjekësisë, Arteve, Kulturës Fizike, Arkitekturës dhe Pedagogjisë, kandidatët do t’i nënshtrohen edhe një provimi pranues për të verifikuar njohuritë dhe aftësitë e veçanta.

Drejtuesit e Universitetit të Tetovës theksojnë se procesi i përzgjedhjes do të jetë transparent dhe i drejtë, me komisione të veçanta për çdo fakultet dhe program studimi, në përputhje me rregulloret dhe standardet e përcaktuara.

Për informacione të mëtejshme mbi programet studimore, dokumentacionin, tarifat dhe afatet e aplikimit, vizitoni www.unite.edu.mk.