MaqedoniTop Lajme

KSHZ: Ka filluar afati për dorëzim të emrave dhe listave

Shpërndaje

Afati për dorëzimin e emrave për kryetar komunash dhe listave për këshilltarë në Komisionin Shtetërorë të Zgjedhjeve ka filluar dhe subjektet politike, koalicionet po edhe kandidatët e pavarur të njëjtën mund ta bëjnë deri më 13 shtator të këtij viti.

Kështu njoftojnë nga KSHZ-ja, nga ku për TV Shenja thonë gjithashtu se fushata zgjedhore në mënyrë zyrtare fillon 20 ditë dhe përfundon para zhvillimit të zgjedhjeve lokale.

“Fushata zgjedhore zyrtarisht fillon me datë 29 shtator 2025 dhe zgjatë deri me datë 17 tetor 2025 deri në mesnatë. Afati për dorëzimin e emrave të kandidatëve për kryetar dhe listave për këshilltarë komunal tashmë vijon dhe i njejti mbaron me datë 13 shtator 2025 deri në ora 24:00”, thonë nga KSHZ.

Nga ana tjetër, të shtunën me 23 gusht fillon mbikëqyrja publike e Listës zgjedhore e cila do të zgjasë 20 ditë – deri më 11 shtatorë.

Gjatë kësaj periudhe, qytetarët kanë të drejtë të paraqesin kërkesat e tyre për regjistrimin, plotësimin ose fshirjen e të dhënave në certifikatat e Listës zgjedhore që është vënë për shqyrtim publik me shkrim në zyrën rajonale të KSHZ-së.

Nga KSHZ-ja për TV Shenja kanë sqaruar edhe mënyrën e mbledhjes së nënshkrimeve dhe ndërlidhjen e të njëjtës me listën e këshilltarëve.

“Regullorja për mbledhjen e nënshkrimeve e definon vetëm pjesën e mbledhjes së nënshkrimeve, ndërsa përpilimi i listave të kandidatëve bëhet sipas Kodit Zgjedhor, ku për çdo komunë konkretisht çdo këshill komunal është definuar numri i këshilltarëve që ka këshilli i komunës, sipas kësaj, edhe listat për këshilltarë duhet të përpilohen në mënyrë që të kenë po aq kandidatë në listë sa duhet të zgjidhen këshilltarë, të rënditur sipas Kodit Zgjedhor dhe udhëzimeve të KSHZ-së për përpilimin e listave, duke respektuar përfaqësimin e drejtë gjinor”, thonë nga KSHZ.

Ndryshe, zgjedhjet lokale janë shpallur edhe zyrtarisht, rrethi i parë do të mbahet më 19 tetorë, ndërkaq sipas rregullores dhe ligjeve, dy javë më vonë zhvillohet edhe rrethi i dytë. /SHENJA/