Kurti njofton për realizimin e një rruge në Stubëll: Vlera e investimit mbi 822 mijë euro
Kryeministri në detyrë Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se bashkë me kandidatin e VV-së për kryetar të Vitisë, Arsim Ademi, ka vizituar një rrugë që është shtruar në Stubëll të Vitisë.
Ai ka shkruar se kjo rrugë ka kushtuar 822,858 euro.
Postimi i tij:
Rruga alternative për Stubëll, nga rruga Anton Çeta deri te rruga Sejdiu, është njëri nga katër projektet që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i ka realizuar ose po i realizon në komunën e Vitisë. Projektet e tjera janë: Rruga Viti – Korbliç – Kaçanik, rruga Mjak dhe Debelldeh, dhe rruga e Vërnakollës.
Vlera e investimit për këtë rrugë është 822,858 euro, ndërsa vlera totale e investimeve në infrastrukturë rrugore në komunën e Vitisë, nga MMPHI, gjatë këtij mandati qeverisës, është mbi 8 milionë euro.
Rruga alternative për Stubëll e bën më të lehtë dhe më të sigurt qarkullimin e banorëve të këtij fshati dhe fshatrave përreth, por edhe të vizitorëve të shumtë që vijnë në Stubëll për shkak të vlerës historike e kulturore që ka ky fshat, ku gjendet edhe shkolla e parë shqipe në Kosovë dhe objekte të tjera të trashëgimisë kulturore.