Listat e pavarura, KSHZ me vendime shtesë nëse ka inflacion zgjedhor
Inflacioni i mundur i listave zgjedhore do ta detyrojë KSHZ për marrjen e vendimeve të reja. Kryetari i KSHZ-së Boris Kondarko për Radion Evropa e Lirë thotë se komisioni i ka të gjitha autorizimet të marrë vendime adekuate të cilat do t’ia përshtasë situatave të caktuara me qëllim që të sigurojë votim të pandërprerë. Megjithatë, Kondarko shprehet se do ta presin 13 shtatorin, përfundimin e afatit të dorëzimit të listave.
“Të presim dhe të shohim se cili do të jetë numri. Në përputhje me situatën ne kemi mekanizëm, do të vendosim në mënyrë adekuate që të gjithë ata që i plotësojnë kushtet të mund të përfaqësohen në listën zgjedhore. E gjithë kjo, a do ta shtrenjtoj procesin? Është e mundur, por ne duhet ta zbatojmë procesin.”, u shpreh kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko.
Kondarko nënvizon se udhëzimi i KSHZ-së nuk ka të bëj vetëm me dy nënshkrimet, por kandidatët do të duhet të përmbushin edhe formularë të tjerë të KSHZ-së për të legjitimuar kandidaturën e tyre.
“Nuk mjaftojnë vetëm dy nënshkrime. Udhëzimi nuk ka të bëjë vetëm me grumbullimin e nënshkrimeve, por është një udhëzues i cili lehtëson procedurën administrativo – teknike në përmbushjen e formularëve të cilat i ka miratuar KSHZ. Ato do të mundësojnë legjitimimin e kandidatëve para organeve zgjedhore, gjegjësisht t’iu konfirmohet lista.”, tha Kondarko.
Vendimet e KSHZ-së sipas Kondarkos janë në kuadër të ligjit, por megjithatë ai thotë se vendi ka nevojë për kod të ri zgjedhor.