Postoi video duke drejtuar Audi-n me 225 km/h, gjobitet ministri turk i Transportit
Ministri i Transportit i Turqisë, Abdulkadir Uraloğlu, është gjobitur për shpejtësi tej normave të lejuara, pasi publikoi një video në rrjetin social X, ku shfaqej duke drejtuar një Audi me 225 km/h në autostradën Ankara–Niğde.
Limiti i shpejtësisë në atë segment rrugor është 140 km/h.
Në sfondin e videos dëgjohej muzikë popullore dhe fjalime të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.
Pamjet, që përfshinin edhe shpejtësimatësin e automjetit, tregonin qartë kalimin e kufirit të lejuar, ndërsa ishin shoqëruar me hashtagun #TurkeyAccelerates.
Pak orë më vonë, Uraloğlu ripostoi videon, duke bashkëngjitur edhe një foto të gjobës.
“Mora timonin për të parë situatën aktuale të autostradës. Gjatë kësaj kohe, pa vetëdije e kalova limitin e shpejtësisë për një kohë të shkurtër,” shkroi ai. “Me videon, në fakt, e denoncova vetë veten.”
Sipas njoftimit zyrtar, ai është gjobitur me 9,267 lira turke (rreth 190 euro) për tejkalim shpejtësie.
“Respektimi i kufizimeve të shpejtësisë është një detyrim për të gjithë,” shtoi ministri, duke premtuar se do të jetë më i kujdesshëm në të ardhmen.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, që varionin nga tallje deri te ironi.
“Ministër i dashur, nëse paguani brenda 15 ditëve, ka 25% zbritje,” shkruajti një përdorues në X.